Ballina Biznes Besimi përmbyll Тakimet në Washington me rekomandim për qasje në mjetet e...

Besimi përmbyll Тakimet në Washington me rekomandim për qasje në mjetet e FMN-së, të destinuara për ekonomi të shëndosha

Ministri i Financave Fatmir Besimi përmbyll Takimet pranverore me rekomandim për qasje në Linjën për përkujdesje dhe likuiditet të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Bëhet fjalë për instrument financiar që FMN-ja e ofron vetëm për vendet me ekonomi të shëndosha, të cilat kanë vlerësime pozitive për politikat ekonomike dhe pritshmëritë se ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke përfshirë stabilitetin makroekonomik dhe financiar.

Marketing

Në kushtet e sfidave globale, si rezultat i luftës në Ukrainë, rriten presionet e çmimeve dhe ulen pritshmëritë për rritjen e ekonomisë botërore, me ç’rast këto mjete do të jenë përkrahje e konsiderueshme e likuiditetit për ekonominë tonë me performancë të shëndoshë. Me anë të tyre do të ofrohet përkrahje për ekonominë dhe qytetarët, resprektivisht do të orientohen në zgjidhjen e krizës energjetike dhe të çmimeve, përkrahjen e standardit të qytetarëve dhe ekonomisë.

Sigurimi i kësaj linje është gjithashtu në drejtim të përpjekjeve të Qeverisë për financim me kosto sa më të ulëta.

Gjatë Takimeve pranverore, Besimi njoftoi se do të bëhet ristrukturimi i buxhetit. Ministri theksoi se ende nuk është përcaktuar rishpërndarja e mjeteve, por një gjë është e qartë, se do të destinohen në drejtim të përkrahjes së qytetarëve dhe ekonomisë për tejkalimin e sfidave të shkaktuara nga lëvizjet globale.

Projeksionet përfundimtare të PBB-së për vitin 2022 do të dihen pas përfundimit të analizave së Ministrisë së Financave, për të cilat ende po punohet. Në projeksionet e reja do të marren parasysh edhe projeksionet më të fundit pranverore të FMN-së, të cilat u publikuan pak ditë më parë.

Besimi theksoi se në periudhë afatmesme fokusi do të jetë drejt arritjes së rritjes së qëndrueshme ekonomike, sigurisë afatgjate energjetike, përforcimit të investimeve në kapitalin njerëzor, si dhe zbatimit të reformave strukturore.

Gjatë Takimeve pranverore, Besimi kishte takime me përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore dhe FMN-së, me nënkryetaren e Bankës Botërore, Anna Bjerde dhe drejtorin e FMN-së për Evropë, Alfred Kamer, por edhe me Gabriel Escobar, zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan shtetëror të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike – përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor si dhe me përfaqësues të lartë të Thesarit të SHBA-së. Në kuadër të këtyre takimeve u theksua rëndësia e procesit eurointegrues për zhvillimin e mëtejshëm të vendit tonë, por edhe për stabilitetin në rajon, si dhe mundësia për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe realizimin e projekteve të reja në bashkëpunim me USAID-in dhe Ambasadën e SHBA-së në vend. Në takimin me përfaqësuesit e Thesarit të SHBA-së, ministri theksoi edhe rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes për promovim dhe mbrojtje të përbashkët të investimeve, e cila do të mundësojë rritjen e fluksit hyrës së investimeve të huaja direkte nga SHBA-ja në vendin tonë.

Marketing
Exit mobile version