Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka vizituar repartin e rinovuar në Spitalin Klinik të Tetovës.
Tha se në dy vitet e fundit janë përforcuar kapacitetet në këtë klinikë. Drejtori i spitalit, Florin Besimi, prezantoi problemet me të cilat përballen, nevojën për punësime dhe pajisje të reja në QDU.
“Problem i qendrës diagnostike urgjente e cila duhet të pajiset, ku edhe vet ministri u zotua se për një kohë të arsyeshme do të fillojë procesi i furnizimit me pajisje. Spitali Klinik i Tetovës për momentin ka kuadrin e vet të cilët janë në specializim diku 70 persona, 19 kanë mbaruar subspecializimin, mjekët që punojnë në këtë spital diku 205. Mendoj se interes të madh i mjekëve është për të konkurruar për të vazhduar punën në Spitalin Klinik”,- deklaroi drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi.
“Kapaciteti është përforcuar në dy vitet e fundit. Ka mbi 150 persona si personel të rinj si dhe 40 persona shtesë me kontrata pune, të cilët duhet të marrin një kontratë në kohë të pacaktuar. Një numër i madh i subspecialistëve janë rikthyer dhe ka aktivitete të reja në spital, që do të thotë se janë të qasshëm për të gjithë pacientët në këtë rajon dhe në të vërtetë është zonë e madhe me shumë banorë”,- tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.