Beteja diplomatike Kosovë-Serbi zhvendoset në Nju Jork

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është fushëbeteja diplomatike e radhës për Kosovën dhe Serbinë.
Debatet atje nisin në 25 shtator dhe zgjasin deri në 1 tetor.

Marketing

Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës ka mbërritur tashmë në Nju Jork për atë që konsiderohet si mundësi e mirë që vendi të lobojë mbi çështjet në interes të tij. Pjesë e tij do të jenë edhe Presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj, të cilët së fundi u përplasën sërish në distancë për kufijtë.

Kreu i shtetit kosovar e ka theksuar vazhdimisht se plani i tij i korrigjimit të kufijve është në funksion të arritjes së një marrëveshjeje paqësore me Beogradin, nga e cila Kosova do të përfitonte dritën jeshile të anëtarësimit në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.

Haradinaj nga ana tjetër është përpjekur të tregojë se nuk është kundër ujdisë, përkundrazi i intereson arritja e një marrëveshjeje detyruese ligjore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kjo, sipas tij, nuk duhet të ndodhë përmes territoreve dhe kufijve.

Zyrtarët kosovarë presin shumë nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, ku gjatë periudhës 10-ditore të qëndrimit, delegacioni i Prishtinës do të ketë një axhendë tejet të ngjeshur me në fokus dy objektiva kryesore: lobimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe sigurisht përpjekjet për të shtuar numrin e njohjeve të saj.

Njohës të zhvillimeve politike nga ana tjetër shprehen skeptikë për Radion Evropa e Lirë se diplomacia e Kosovës do të mund të jetë efektive në realizimin e objektivave të saj gjatë qëndrimit në Nju Jork. Sipas tyre, përvojat e deritanishme kanë treguar se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, diplomacia e Kosovës nuk ka arritur t’i shfrytëzojë në dobi të saj takimet bilaterale me diplomatët botërorë.

Marketing