Rregullatori kryesor kinez i tregut njoftoi sot, se ata po monitorojnë nga afër shitjen e planifikuar të shumicës së aktiviteteve portuale të CK Hutchison te një konsorcium i udhëhequr nga BlackRock dhe theksoi se palët e përfshira në marrëveshje nuk duhet të përpiqen të anashkalojnë kontrollet antitrust.
Shitja nga konglomerati i Hong Kongut, i cili përfshin dy porte përgjatë Kanalit të rëndësishëm strategjik të Panamasë, është bërë shumë i politizuar në mes të rritjes së tensioneve tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
“Pa miratim nuk lejohet të kryhet përqendrimi i kompanive, përndryshe do të pësojnë pasoja juridike”, thuhet në njoftimin e Administratës Shtetërore për Rregullimin e Tregut, raporton KosovaPress.
Deklarata është në përgjigje të një artikulli të Wall Street Journal, sipas të cilit perandoria e anijeve MSC, e cila është pjesë e një konsorciumi të udhëhequr nga BlackRock, ka zhvilluar bisedime për të vazhduar zbatimin e pjesës më të madhe të marrëveshjes derisa të zgjidhen mosmarrëveshjet mbi dy porte në Panama.
Marrëveshja përbëhet nga dy komponentë me struktura të ndryshme pronësie – njëra lidhet me portet në Panama dhe tjetra me portet e tjera, transmeton KosovaPress.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të “merr përsëri kontrollin” e Kanalit të Panamasë dhe e ka përshkruar këtë marrëveshje si “rimarrje” e rrugës ujore. Media shtetërore kineze, megjithatë, kritikoi ashpër shitjen e planifikuar, duke e quajtur atë një tradhti të interesave kineze.
Trump theksoi të shtunën se anijet ushtarake dhe tregtare amerikane duhet të kenë të drejtën e kalimit të lirë përmes Kanaleve të Panamasë dhe Suezit.
Ndryshe, CK Hutchison, një kompani në pronësi të magnatit Li Ka-shing, njoftoi muajin e kaluar se do të shesë 80 për qind të aksioneve të saj në biznes, i cili përfshin 43 porte në 23 vende. Vlera e të gjithë biznesit, duke përfshirë borxhin, është 22.8 miliardë dollarë.
Burimet thanë se PSA International e Singaporit, pronari i 20 përqindëshit të mbetur të aksioneve, po konsideron gjithashtu shitjen e aksioneve të saj. Marrë në tërësi, konglomerati i Hong Kongut ka interesa në 53 porte, me portet në Hong Kong dhe Kinën kontinentale që nuk përfshihen në këtë transaksion.