Të drejtat e autorit i kanë çuar në pikën pa kthim këngëtaren e njohur Tayna dhe menaxherin e saj, Rinor Hykolli. Duke e akuzuar se e ka shkelur kontratën pesëvjeçare që kishte me të, Hykolli ia ka bllokuar këngën e re “Si ai” të publikuar të hënën në “Youtube”, disa orë pas lansimit.
Plot gjashtë vite më parë, Rinor Hykolli, nën rolin e menaxherit “brendoi” artisten Doruntina Shala, e njohur për publikun si “Tayna”, duke nisur kështu karrierën e saj muzikore me hitin e famshëm “Columbiana”, e për ta përfunduar këtë rrugëtim nga ky menaxhim, vetëm katër muaj më parë me projektin e fundit “Unaza”, shkruan gazeta online Reporteri.net. Por, një rikthim i Taynës mbrëmë me këngën e re “Si ai”, e kësaj here jo prodhim i studios muzikore “Friends Entertainment”, bëri që Rinor Hykolli, tashmë ish-menaxher i artistes të aktivitohet për të drejtat autoriale, sipas tij, që i ka ndaj artistes.
Pak orë pas publikimit të këtij projekti të ri, Rinor Hykolli e fshiu këngën “Si ai” nga Youtube, duke pretenduar se ai ka kontratë edhe për pesë vite të tjera me Taynën, e madje ai është shprehur se e kishte marrë “nga rruga” këngëtaren dhe e kishte shndërruar në një yll të muzikës, e sipas tij kjo e fundit ia kishte kthyer shpinën dhe kishte bërë gjëra fshehtas tij.
“Po e vërteta është sepse unë kam investuar prej këngës së parë. E kam marrë në rrugë do të thotë ka qenë. Pas disa label-a të tjerë as këngë nuk i kanë bërë kurrë, e kam marrë unë për 6 muaj e kam bërë yll. Do të thotë, kam fakte për këtë punë. Kam investuar unë më shumë se sa duhet edhe me ma kthyer me të keq me ik tinëz me bërë gjëra pas shpinës nuk e kam prit edhe jam i dëmtuar emocionalisht edhe shumë shumë financiarisht. Mos përmbushja e marrëveshjes me mua. Edhe pesë vitet e ardhshme sikur edhe kem kontratë, më ka shty me ja fshi këngën. Me një marrëveshje të vogël ajo ose kërkim falje. Do ishte e lirë si zogu. Pa asnjë dëmshpërblim shkaku i korrektësisë e gjithë estrada e di sa korrekt jam”, tha ai sot në mëngjes për Telegrafin, pak pas bllokimit të këngës.
Lidhur me këngën e larguar nga kanali i saj në “Youtube”, Tayna kërkoi durim nga adhuruesit e muzikës së saj, ndërsa quajti “të vegjël” ata që bënë këtë veprim për projektin e saj të ri.
“I kërkoj ndjesë dëgjuesve t’mi për videon e hequr, por unë e di që do më kuptoni, e bashkë me mua, do bëni durim para mjeranëve të cilët nuk lënë një rast t’u ikë, pa treguar sa të vegjël janë! Unë ja kam lënë në dorë drejtësisë edhe Zotit”, tha Tayna në një reagim të publikuar në llogarinë e saj në “Instagram”.
Por, duke mos u mjaftuar me kaq, Rinor Hykolli pati sërish një reagim në Instagram, pasuar nga ai që pati artistja, duke thënë se në të ka investuar me “mish e shpirt dhe me gjithë kapitalin e tij”.
E shprehjes “të vegjël”, Hykolli i është përgjigjur duke thënë se për të e ka bërë edhe “të vogëlin” edhe “të fortin” e “të pamëshirshmin”, vetëm e vetëm, sipas tij, që artistja Tayna të mos zvarritej si kërmilli në industrinë e muzikës.
Madje, ai thotë se kënga nuk është bllokuar nga vetë ai, por nga kontratat që artistja i ka pasur të nënshkruara me kompanitë muzikore, derisa ka uruar që t’i mirëmbahet atyre për çfarë kanë rënë dakord më parë.
Por, nuk ka mjaftuar me kaq, Hykolli bën një reagim sërish, duke njoftuar Taynën se këngën e re “Si ai”, do t’ia lirojë, kësaj radhe siç thotë ai për t’i treguar “që është burrë dhe është në rrugë të drejtë”.
Ai thotë se të gjitha ia ka lënë drejtësisë, por ka kërkuar që së paku të respektonte drejtësinë, të mos publikonte këngë të reja e mos të ishte e pranishme në koncerte.
E njëjtë si ish-menaxheri, edhe vetë Tayna ka thënë se këtë çështje do t’ia lërë në dorë drejtësisë.