Bexheti: Frustrimet akademike maqedonase

Shkruan: Akademik Abdylmenaf Bexheti

Marketing

Të dashur miq,

Që në fillim, të qartësoj këtë paraqitje me shkas! Si zakonisht, duhet të reagoj publikisht ndaj qëndrimeve individuale të disa akademikëve maqedonas, fatkeqësisht edhe të kryetarit (Akad.Kocarev) i ndjekur, mbase edhe i motivuar nga akad.Qullavkova me disa kolegë tjerë.

Nuk kam asgjë kundër qëndrimeve individuale të gjithësecilit akademik, aq më tepër mundohem t’i kuptoj edhepse nuk i arsyetoj. Kjo gjithnjë përderisa nuk prekin dinjitetin dhe interesin tonë kombëtar. Në mendjen e tyre për çfarëdo që të ndodhë, fajtor kujdestar jemi ne SHQIPTARËT, që bashkarisht me maqedonasit, por edhe të tjerët, e bëmë dhe e zhvillojmë shtetin, në disa aspekte edhe më shumë se vet ata.

Nuk do merrem me ‘kushtrimin’ e kryetarit, akad.Kocarevit për rezistencën ndaj proceseve integruese të vendit me preteks të ruajtjes së identitetit të pacënuar maqedonas, por me propozimin e Qullavkovës për krijimin e Akademisë së tretë shqiptare, siç thotë ajo në intervistën e fundit (në tv Kanal-5).

Nëse nuk na duan në gjirin e tyre, të përfaqësuar kështu sa dhe si jemi, pa u konsultuar edhe me kolegët tjerë shqiptarë, meqë besoj se nuk kanë anjë kundërshti, ja publikisht po deklarohem se jemi në gjendje ta krijojmë atë, por jo më ‘ilegalisht, joformalisht e privatisht’, siç kemi vepruarv në të kaluarën me Institucionet tona fillestare, por të ndahemi MENJËHERË dhe pa hezitim me të gjitha mjetet financiare, hapësinore dhe teknike. Menjëherë të tërheqim 30%-shin e buxhetit publik nga AShAM-i dhe të bëhemi hisedarë me gjitha asetet publike që janë krijuar nga paratë publike të taksapaguesve. Me zorr nuk qëndrohet bashkë dhe në vend të produktivitetit shkencor të humbasim energjinë krijuese duke u marrë me politikat ditore dhe fragmentimet etnike, kulturore, konfesionale,…etj.

Nëse ajo (Katica Q.) apo edhe kushdo tjetër, hamendësoshet se do të mund të na ‘heqin qafe’, pa ndarje të hises sonë pronësore, thellësisht mashtrohen për shkak se, e pranojnë apo jo, Maqedonia e Veriut nuk është shtet vetëm i tyre! Zatën edhe ashtu, në konkursin e fundit të anëtarësimit dëshmuan se nuk janë shkëputur nga mendësia e së kaluarës! Sa për ilustrim, në konkursin e fundit, në Seksionin e Shkencave Sociale që unë e drejtoj, nga shtatë anëtarë, me gjashtë vota bindëse PRO e kaluam kandidaten Dr.Prof.Mirushe Hoxha dhe në Kuvend – e rrëzuan! Krijimtaria e saj shkencore dhe akademike (tre magjistratura dhe dy doktoratura, shumica ndërkombëtare) me një CV mbi 20 faqe, tejkalon opusin e së paku gjysmës së anëtarëve ekzistues të Akademisë dhe – sërish nuk kaloi!

Tashmë e kemi dëshmuar se jo vetëm dimë, por edhe më mirë se ata i bëjmë disa institucione edhe shkencore e arsimore!

(Marrë nga profili i autorit në Facebook)