Bexheti: Ministria e Bujqësisë është e përkushtuar të qëndrojë pranë fermerëve

Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, ka informuar se në kuadër të angazhimit për të qenë pranë fermerëve dhe për të ndjekur nga afër situatën në terren, ka realizuar një vizitë te pemishtja e z. Idriz Ademi nga fshati Krushopek të Komunës së Sarajit, kultivues i qershive dhe kajsive, në vendin e quajtur Dragçe.

“Pas dëmeve të shkaktuara nga temperaturat e ulëta të muajit prill, për të cilat u raportua edhe në Alsat-M ditën e djeshme, biseduam nga afër për ndikimin që kanë pasur kushtet klimatike në prodhimin e tij. E informova për procedurat dhe mënyrën e paraqitjes së kërkesës për kompensim të dëmeve, duke e udhëzuar që kërkesën duhet ta dorëzojë në Komunën e Sarajit. Fillimisht, Këshilli Komunal duhet të miratojë vendimin për shpalljen e ditëve të fatkeqësive natyrore, pas së cilës Komisioni komunal do të hartojë procesverbalin përkatës dhe më pas do ta dërgojë atë te Komisioni qeveritar për vlerësimin dhe përcaktimin e shkallës së dëmit nga fatkeqësitë natyrore. U sigurova që ai të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm për të përfituar nga mbështetja shtetërore”, ka shkruar Bexheti.

Më tej ai ka informuar se Ministria e Bujqësisë është e përkushtuar të qëndrojë pranë fermerëve në këto momente sfiduese dhe është gjithmonë e gatshme të ofrojë ndihmë dhe informim të plotë për çdo fermer të prekur nga kushtet e pafavorshme klimatike.

Marketing