BFI fton komunitetin mysliman që më 30 shtator t’i thotë PO inkuadrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE

Sot, në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, Rijaseti i Bashkësisë Islame mbajti mbledhjen e vet të rregullt, në të cilën, veç tjerash diskutoi edhe mbi Referendumin, i cili, më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do t’i vë para sprovës nëse janë për katandisje të trishtueshme apo për perspektivën e lumtur të shtetit në integrimet euro-atlantike. Me këtë rast, Rijaseti i Bashkësisë Islame solli edhe vendimin, të cilin para medieve për opinionin e gjerë do ta kumtoj unë, prijës i gjithë myslimanëve të vendit, të cilët përbëjnë gjysmën e popullatës së përgjithshme të vendit.

Marketing

Fatmirësisht, qëndrimi ynë do të jetë e kundërta e qëndrimit tashmë publik të disa institucioneve dhe strukturave të vendit që, në çastet më vendimtare në historinë e këtij shteti, edhe më tej po mundohen të manipulojnë me qytetarë duke theksuar se qytetarët tanë na qenkan të pjekur dhe se duhet të lihen në qetësi të plotë të votojnë sipas bindjeve dhe përcaktimeve të tyre.

Fatmirësisht, qytetarët e Maqedonisë e kanë lidershipin e tyre politik e fetar, të cilët kanë një synim dhe një ideal që është në përputhje me ëndrrat e të parëve tanë për të siguruar një harmoni, një lumturi dhe një bashkëjetesë të bekuar për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pa dallim përkatësie etnike dhe fetare.

Popullata myslimane në Maqedoni në masë të konsiderueshme përbëhet nga një shumicë absolute myslimanësh të përkatësisë etnike shqiptare. Kjo popullatë, pra, në përgjithësi popullata myslimane, gjithnjë është ndjerë si komunitet i kategorisë së dytë dhe, në këtë aspekt, gjithnjë ka qenë e diskriminuar, e padrejtësuar, e keqtrajtuar.

Kjo ndjenjë vazhdon të na rëndojë edhe sot e kësaj dite, prandaj dhe, populli shqiptar, përgjithësisht myslimanët e Maqedonisë, janë popull që pothuajse në masë të qind për qindtë kanë përcaktimin e vet për inkuadrimin e Maqedonisë në Aleancën e NATO-s si dhe në Bashkimin Evropian, dy mekanizma të cilat garantojnë liri, paqe, drejtësi e prosperitet absolutisht të barabartë për të gjithë njësoj!

Më 30 shtator duhet të kemi festë gjithë popullore, do të kemi çastin kur solemnisht do të vendosim përmes votave tona plebishitare duke i thënë PO Marrëveshjes së Prespës e cila na i hap portat krah më krah dhe na e ndritë udhën për integrimin e shtetit tonë të përbashkët në strukturat euro-atlantike.

30 Shtatori do të jetë dita kur, përfundimisht, pas nesh do të ngelin të gjitha përpjekjet destruktive që e kanë mbajtur peng për dekada me radhë qytetarin tonë në përpjekjet e tij për një të nesërme më të lumtur. Me Referendumin e 30 shtatorit qytetarët e Maqedonisë do të përshëndeten përfundimisht me skenarët e errëta politike, të cilat gjithnjë janë luajtur në dëm të popullatës shqiptare, pra, mbi kurriz të myslimanëve të Maqedonisë por edhe të qytetarëve të tjerë.

Prandaj, qytetarë të respektuar, sot Rijaseti ka vendosur që të apelojë deri te anëtarësia myslimane që më 30 shtator masivisht të dalin në Referendum dhe t’i thonë PO inkuadrimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Rijaseti do t’i obligojë të gjithë strukturat e veta, organet, institucionet si dhe nëpunësit e vet që, vazhdimisht të jenë në kontakt me pjesëtarët myslimanë të vendit, t’ju shpjegohet kthesa historike që i pret me dhënien masive të votës pro inkuadrimit të Maqedonisë në strukturat që janë garanci e fuqishme e paqes, bashkëjetesës dhe perspektivës së lumtur të shtetit dhe të shoqërisë sonë.

Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame sot vendosi që në mënyrë autoktone dhe autonome të jep kontributin e vet në hapjen e një kapitulli të ri të historisë sonë e cila nuk do të ketë më dhembje, diskriminime e padrejtësi, por do të fillojë një etapë e re për Maqedoninë multietnike, multikonfesionale e multikulturore në të cilën shoqëria jonë do të angazhohet të identifikohet me vlerat civilizuese të familjes së madhe evropiane.

Vota PO e jona do t’i ngulfasë përgjithmonë interesat meskine të partive dhe të strukturave të ndryshme të cilët e synojnë pushtetin për të ushtruar superioritet politik e etnik. Maqedonia në NATO dhe në BE do të thotë funksionim normal të shtetit si dhe siguri, paqe dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj. Kush është kundër kësaj PO-e të këtij Referendumi është ithtarë i synimeve retrograde, të pashpresa dhe shkatërrimtare për shtetin tonë të përbashkët, Maqedoninë!
I ftoj të gjithë qytetarët e Maqedonisë, sidomos komunitetin mysliman pjesëtarë të Bashkësisë Islame, të ndërgjegjësohen maksimalisht, ta kuptojnë rëndësinë historike të këtij Referendumi dhe, më 30 shtator, të gjithë masivisht të dalin në votime duke i thonë PO Maqedonisë në NATO dhe hapjes së bisedimeve për kyçjen në Bashkësinë Evropiane.