Kancelari gjerman Olaf Scholz ka nisur dje vizitën në Shtetet e Bashkuara, me takime me ligjvënës amerikanë ndërsa sot pasdite pritet të takohet me Presidentin Joe Biden.
Scholz tha se bisedimet me Presidentin Biden do të përqëndrohen tek rrugët e mundshme për forcimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, përballë agresionit rus.
Ndër lufta po hyn në vitin e tretë, Ukraina po përballet më mungesë armatimesh në betejen e luftës dhe varet shumë nga aleatët e saj perëndimorë për mbështetjen ushtarake dhe financiare.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë deri më sot mbështetësi më i madh i Kievit, por vizita e kancelarit gjerman në Uashington vjen në një kohë që po shtohen shqetësimet për angazhimin amerikan ndaj Ukrainës, ndërsa një paketë financiare e propozuar nga Presidenti Biden që përfshin ndër të tjera ndihmën në Ukrainën, është bllokuar në Kongres, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Disa politikanë evropianë janë të shqetësuar se kthimi i mundshëm i ish-Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë mund ta dëmtojë më tej angazhimin amerikan.
“Ajo për të cilën është rënë dakord në Europë dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjehen rrugë të tjera që të gjithë bashkë të mund të bëjmë më tepër”, tha zoti Scholtz në aeroportin e Berlinit, para se të udhëtonte drejt Uashingtonit.
Javën e kaluar Bashkimi Europian miratoi një paketë ndihme 4-vjeçare prej 54 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Zyrtarët gjermanë thonë se deri më tani Berlini ka furnizuar apo është zotuar për një ndihmë prej 28 miliardë eurosh për Ukrainën./VOA