Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden emëroi të premten admiralen Lisa Franchetti për të udhëhequr marinën gjë që mund të shënojë ngritjen historike të një gruaje për të udhëhequr Marinën e SHBA-ve dhe t’i bashkohet Shefit të Shtabit të Përbashkët.
Emërimi i Franchettit kërkon miratimin në Senatin e SHBA-ve, ku senatori Tommy Tuberville vazhdon të pengojë qindra kandidatë ushtarakë në shenjë proteste ndaj një politike të Pentagonit që paguan për anëtarët e shërbimit dhe vartësit e tyre për të udhëtuar dhe për të marrë kujdesin shëndetësor riprodhues, përfshirë abortet, në shtetet ku ai ligj është i disponueshëm.
Franchetti ka shërbyer në ushtri për gati katër dekada, së fundmi ka shërbyer si zëvendëse e shefit të Operacioneve Detare.
“Gjatë gjithë karrierës së saj, Admiralja Franchetti ka demonstruar ekspertizë të gjerë si në fushën operacionale ashtu edhe në atë të politikës. Ajo është gruaja e dytë që ka arritur gradën e admiralit me katër yje në Marinën e Shteteve të Bashkuara dhe kur të konfirmohet, ajo do të bëjë sërish histori si gruaja e parë që shërben si Shefe e Operacioneve Detare dhe tek Shefat e Shtabit të Përbashkët”, u shpreh ai.
Biden emëron zëvendës Admiral, James Kilby për të marrë postin në largim të Franchettit dhe admiral Samuel Paparo si komandant të Komandës së Indo-Paqësorit dhe zëvendës Admiralin Stephen Koehler si komandant të Flotës së Paqësorit të SHBA-ve.
Biden dënoi ashpër pengesën e vazhdueshme të Tuberville për të nominuarit për poste ushtarake, duke thënë se ajo që “ai po bën nuk është vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme”.
“Ka qenë prej kohësh një nen besimi në këtë vend që mbështetja ndaj ushtarakëve tanë dhe familjeve të tyre, dhe sigurimi i forcës së mbrojtjes sonë kombëtare, e kapërcen politikën. Në këtë moment të mjediseve të sigurisë me zhvillim të shpejtë dhe konkurrencës intensive, ai po rrezikon aftësinë tonë për të siguruar që Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të mbeten forca më e madhe luftarake në historinë e botës. Dhe kolegët e tij republikanë në Senat e dinë këtë”, u shpreh Biden, shkruan AA, përcjell KosovaPress.
Pentagoni krijoi politikën e udhëtimit për shëndetin riprodhues pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të përmbysur ‘Roe v. Wade’, një vendim ligjor historik që kishte mbrojtur të drejtat federale të abortit në të gjithë vendin për gjysmë shekulli.
Javën e kaluar, Pentagoni informoi se deri në 650 pozita udhëheqëse ushtarake mund të mbeten të zbrazëta deri në fund të vitit pa një zgjidhje për ngërçin. Janë afërsisht 265 pozita të gjeneralëve dhe oficerëve që janë bllokuar në Senat nga Tuberville, duke përfshirë kreun e Trupave Detare të SHBA-ve.