Biden emëron sekretarin e shëndetësisë

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka emëruar Prokurorin e Përgjithshëm të Kalifornisë Xavier Becerra si sekretarin e tij të shëndetësisë, i cili do të ketë një rol kryesor në përgjigjen e administratës ndaj koronavirusit.

Marketing

Ai emëroi gjithashtu eksperten e sëmundjeve infektive në Universitetin e Harvardit, Rochelle Walensky, për të drejtuar Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Dy emërimet u konfirmuan për mediat nga persona që kishin dijeni për vendimet.

Nëse konfirmohet nga Senati, 62 vjeçari Becerra do të jetë latinoamerikani i parë në krye të Departamentin e Shëndetësisë, një agjensi me një buxhet prej më shumë se 1 trilionë dollarësh dhe me 80,000 punonjës. Departamenti i Shëndetësisë mbulon mes të tjerash kërkime mjekësore të nivelit të lartë dhe programet e sigurimeve shëndetësore për më shumë se 130 milionë amerikanë.

Becerra, si prokurori më i lartë i shtetit të Kalifornisë, ka drejtuar më parë përpjekjet për të mbrojtur aktin e kujdesit të përballueshëm shëndetësor të njohur si Obamacare nga përpjekjet e fundit të administratës Trump për ta rrëzuar atë, një çështje ligjore që pret vendimin e Gjykatës së Lartë vitin e ardhshëm.

Zoti Becerra ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, i përfshirë në procedurat për miratimin e këtij ligji në Kongres në vitet 2009 dhe 2010.

Ai njihet për qasjen prej një juristi rigoroz në analizën e problemeve. Por puna për të mbikëqyrur përgjigjen e administratës ndaj koronavirusit mund të jetë detyra më e komplikuar me të cilën ai përballet deri tani.

Marketing