Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i uroi presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Zonjës së Parë, Melanie, shëndet të mirë, pasi që të dy kanë dalë pozitiv në koronavirus.
“Jill (gruaja e Bidenit) dhe unë u dërgojmë dëshirat tona, presidentit Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump, për një shërim të shpejtë. Ne do të vazhdojmë të lutemi për shëndetin dhe sigurinë e presidentit dhe familjes së tij”, tha Biden në një postim në rrjetin social Twitter.
Ish-nënpresidenti, Joe Biden, nuk e ka informuar akoma publikun nëse ai është testuar për koronavirus.
Presidenti Trump doli pozitiv në koronavirus më pak se një javë pas një debati të ashpër me Bidenin, i pari nga tre debatet presidenciale, që pritet të mbahen deri në zgjedhjet e nëntorit.
Shtëpia e Bardhë lëshoi një orar të ri për aktivitetet e Trumpit në të cilin nuk përfshihet një udhëtim në Florida, ku ai kishte planifikuar të merrte pjesë në një tubim.