Presidenti Joe Biden kritikoi ashpër të martën ligjvënësit republikanë që mbështesin lëvizjen e ish-Presidentit Trump dhe që kanë refuzuar të dënojnë sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara dhe që tashmë sulmojnë FBI-në. Presidenti Biden po përpiqet t’i portretizojë demokratët si mbështetësit e vërtetë të agjencive të zbatimit të ligjit, ndërkohë që po afrohen zgjedhjet e mesmandatit në muajin nëntor.
Gjatë fjalimit që ishte paraqitur fillimisht si në lidhje me përpjekjet për parandalimin e krimit, Presidenti Biden përmendi komentet e aleatëve të ish-Presidentit Donald Trump, të cilët kanë bërë thirrje për shkurtimin e fondeve të FBI-së, që nga momenti kur agjencia zbatoi një urdhër kontrolli në rezidencën e ish-presidentit në Florida.
Fjalimi i Presidentit Biden është mbrojtja e parë domethënëse që ai i ka bërë FBI-së që nga kontrolli i 8 gushtit në Mar-a-Lago, që ngjalli jo vetëm kritika të ashpra ndaj agjencisë, por edhe kërcënime për dhunë ndaj punonjësve të saj.
Presidenti Biden flet ndërsa në sfond shquhen punonjësit e policisë
“Është e neveritshme të shikosh sulmet e reja ndaj FBI-së, kërcënimin me jetë të zbatuesve të ligjit dhe familjarëve të tyre, për shkak se thjesht zbatuan ligjin dhe bënë punën e tyre”, tha Presidenti Biden përpara një turme të mbledhur në Universitetin Wilkes në Pensilvani.
Ky është dukshëm një ndryshim takti nga Presidenti Biden, i cili i është shmangur komenteve të zgjeruara për strukturat hetimore të Departamentit të Drejtësisë, që kur agjentët federalë bënë kontrollin në rezidencën e ish-Presidentit Trump. Megjithëse nuk ja përmendi emrin, Presidenti Biden u duk se veçoi komentet e bëra rishtazi nga Senatori republikan Lindsey Graham, i cili paralajmëroi për “trazira nëpër rrugë”, nëse ish-Presidenti Trump do të përballej me akuza penale.
“Ideja që ndez televizorin dhe shikon senatorë dhe ligjvënës kryesorë duke thënë se ‘nëse ndodh kjo apo jo, do të ketë gjak nëpër rrugë’? Ku dreqin jemi?”, tha Presidenti Biden.