Biden: Putin është një kasap

Presidenti amerikan, Joe Biden, e quajti “kasap” homologun rus, Vladimir Putin, në një takim me refugjatë ukrainas këtë të shtunë në Varshavë.

Marketing

Më herët, Biden e ka cilësuar Putin një kriminel lufte, pasi po bombardon zona me civilë në Ukrainë.

I pyetur nga gazetarët çfarë mendoi pasi pa refugjatët, duke qenë se ai merret me Putinin çdo ditë, Biden u përgjigj: “Ai është një kasap”.

Gjatë prononcimit të shkurtër, Biden tha se nuk ishte hera e parë që vizitonte kampe të tilla të njerëzve që i iknin luftës, por gjithmonë mahnitej nga forca e shpirtit njerëzor. “Është e pabesueshme! Gjithë ata fëmijë të vegjël. Duan të të përqafojnë, të të falënderojnë. Kjo të bën të ndihesh shumë krenar”, tha ai.

“Secili prej atyre fëmijëve kishte nga një kërkesë, që të luteshim për baballarët apo gjyshërit e tyre që po luftonin në Ukrainë. E mbaj mend se si ndihesh kur një njeri i afërt ndodhet në luftë. Çdo mëngjes çohesh dhe vetëm mendon… dhe lutesh që të të marrë në telefon”, shtoi presidenti amerikan.