Biden takohet me liderët e Finlandës e Suedisë, pas aplikimit të tyre në NATO

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të takohet sot me presidentin e finlandës, Sauli Niinisto, dhe kryeministren e Suedisë, Magdalena Andersson, pasi këta të fundit dorëzuan në NATO kërkesat e shteteve të tyre për anëtarësim.

Marketing

Shtetet e Bashkuara janë duke mbështetur vullnetin e të dy vendeve për anëtarësim në Aleancë.

“Unë mirëpres dhe mbështes fuqishëm aplikimet historike nga Finlanda dhe Suedia, për anëtarësim në NATO” deklaroi dje Biden, një ditë përpara takimit.

Të dy shtetet nordike aplikuan për tu bërë pjesë e NATO-s, nën situatën e acaruar mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila ndikon edhe në Finlandë, e cila kufizohet me Rusinë.

Britania e Madhe dhe shumë shtete tjera të NATO-s kanë përkrahur gjithashtu këtë iniciativë të Finlandës dhe Suedisë.

Por, të njëjtën gjë nuk e ka bërë Turqia, e cila akuzon këto dy shtete për strehim të ekstremistëve anti-Turqi.

Nëse Finlanda dhe Suedia pranohen në NATO, Aleanca do të zgjerohej në 32 shtete anëtare.

Anëtarësimi i fundit u bë në vitin 2020, me pranimin e Maqedonisë së Veriut në këtë organizatë.