Biden tërhiqet nga vendimi për kapacitetin e pranimit të refugjatëve

Presidenti amerikan Joe Biden ka kthyer mbrapsht një vendim për refugjatët, disa orë pas nënshkrimit të një urdhri që kufizonte në 15,000 numrin e refugjatëve të pranuar këtë vit në Shtetet e Bashkuara.

Kjo shifër, e përcaktuar nga paraardhësi i tij Donald Trump, është konsideruar ndër më të ulëtat në historinë amerikane.

Marketing

Vendimi është kritikuar shpejt pasi Biden ka nënshkruar urdhrin më 16 prill, dhe më vonë gjatë së premtes, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki ka publikuar një deklaratë, duke thënë se njoftimi origjinal ka qenë “subjekt i disa paqartësive”, dhe se Biden pritet të rrisë kapacitetin e pranimit të refugjatëve deri më 15 maj, ndonëse nuk ka treguar për sa.

Megjithatë në deklaratë është përmendur se synimi fillestar i Bidenit për pranim të 62,500 refugjatëve duket se nuk është i mundshëm “për shkak të programit problematik të pranimit të refugjatëve që kemi trashëguar”.

Psaki ka thënë se Biden ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm për përmbysje të politikave të Trumpit, që kanë ndaluar hyrjen e refugjatëve në disa rajone, dhe të mundësojë fluturimet nga të njëjtat brenda ditësh.

Image

Një migrant nga Hondurasi duke tentuar të kalojë në anën amerikane të kufirit mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara.

Ajo ka thënë se në urdhrin e Bidenit është përcaktuar një gjë e tillë.

Përveç këtij vendimi, është thënë se më shumë refugjatëve nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Amerika Qendrore do t’iu mundësohet hyrja, si dhe do të hiqen kufizimet për banorët e Somalisë, Sirisë dhe Jemenit.

Biden ka marrë këto vendime teksa përballet me presion politik për numrin e madh të migrantëve të pashoqëruar në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Republikanët kanë fajësuar Bidenin për situatën në kufi, duke thënë se veprimet e tij për përmbysje të politikave të Trumpit, kanë shkaktuar këtë situatë.

Psaki ka pranuar se situata në kufi ka qenë “faktor” se pse Biden ka marrë vendim për numrin e refugjatëve, ndonëse disa migrantë në kufi nuk përfshihen në programin e refugjatëve.

Sipas programit për pranim të refugjatëve, autoritetet amerikane i analizojnë mirë aplikacionet para se të mundësojë hyrjen e aplikuesve në Shtetet e Bashkuara.

Migrantët, në anën tjetër, aplikojnë për azil pasi ta kalojnë kufirin.

Grupet e të drejtave të refugjatëve kanë thënë se janë rreth 35,000 refugjatë që janë analizuar dhe janë në pritje të udhëtimit në SHBA.

Rreth 100,000 të tjerë janë në pritje të përgjigjes.

Vendimi fillestar i Bidenit, për të mbajtur në 15,000 numrin e refugjatëve të pranuar, është kritikuar nga këto grupe, të cilat kanë kërkuar nga presidenti që të veprojë shpejt në përmbysje të politikave të Trumpit për refugjatët.

Anëtarët e Kongresit po ashtu kanë kritikuar këtë vendim.

“Të përballurit me krizën më të madhe të refugjatëve, nuk përbën arsye për të kufizuar numrin në 15,000. Më thuaj që nuk është ashtu, president Joe”, ka thënë senatori demokrat Dick Durbin derisa përfaqësuesja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez, ka thënë se kjo shifër “është e papranueshme”.

“Biden është zotuar se do të mirëpresë imigrantët dhe njerëzit e kanë votuar duke u bazuar në këtë premtim”, ka thënë Ocasio-Cortez në Twitter.

“Zbatimi i politikave ksenofobike dhe raciste të administratës Trump, përfshirë kapacitetin historikisht të ulët të pranimit të refugjatëve, është gjë e gabuar”.

Shkalla e pranimit të refugjatëve gjatë udhëheqësisë së Trumpit ka qenë në përmasa historikisht të ulëta.

Ai ka portretizuar refugjatët si kërcënim për sigurinë dhe pati kthyer këtë çështje në pikë të rëndësishme të presidencës së tij./Rel/