Presidenti Joe Biden do të vizitojë sot Uvalden e Teksasit, ku pak ditë më parë një person i armatosur vrau 19 nxënës e dy mësues.
Kjo është hera e dytë brenda muajit që presidenti viziton një qytet që është goditur nga dhuna në armë.
Në fillim të këtij muaji, zoti Biden vizitoi Buffalon një qytet në Nju Jork, ku një supremacist i bardhë hapi zjarr në një supermarket, duke vrarë 10 afrikano-amerikan.
Gjatë qëndrimit të tij në Uvalde Presidenti Biden, shoqëruar nga zonja e parë Jill Biden, do të takohet me familjarë të viktimave e të mbijetuarve të sulmit të përgjakshëm. Ata pritet gjithashtu të vizitojnë një vend përkujtimor për viktimat e të marrin pjesë në meshën që do të mbahet sot (e dielë) në Kishën Katolike, Zemra e Shenjtë.
Të shtunën, me dhjetëra njerëz u mblodhën në qytet për të mbajtur zi dhe për të bërë homazhe për 21 personat e vrarë.
Ndërkohë autoritetet po vijojnë me hetimet lidhur me reagimin e policisë ndaj ngjarjes, kryesisht për të hedhur dritë mbi kohën që iu desh policisë për t’u përballur me personin e armatosur, 18-vjeçarin Salvador Ramos.
Ky i fundit, qëndroi në shkollë për rreth një orë përpara se të vritej nga policia.
Dhjetë vjeçari Samuel Salinas, tha se Salvador Ramos kishte hyrë në klasën e tij dhe u kishte thënë atyre se: “të gjithë do të vdisni”, e më pas kishte nisur të qëllonte, sikurse tha si për rrjetin televiziv “ABC News”.
Një tjetër nxënës, Daniel, tha për gazetën “The Washington Post”, se ai ndodhej në një klasë tjetër, jo shumë larg autorit të sulmit. Daniel tha se mësuesi, u kishte shpëtuar jetën, duke mbyllur me shpejtësi derën e fikur dritat./ VOA