Bie qyteti ‘kyç’ në Ukrainë? Mercenarët e Wagner shpallin fitoren

Kreu i kompanisë së mercenarëve “Wagner” ka deklaruar se ka ngritur flamurin rus në bashkinë e qytetit të Bakhmutit, në Ukrainë.

Marketing

Në një video, Yevgeni Prigozhin deklaroi se tani Bakhmuti ishte rus në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithatë, ai pranoi se forcat ukrainase ishin ende të angazhuara në rajonet perëndimore.

Nga ana tjetër, Kievi insiston se vazhdon ta kontrollojë Bakhmutin, një qytet lindor për marrjen nën kontroll të të cilit Rusia përpiqet prej muajsh.

Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës deklaroi se ndërsa Rusia nuk ka ndalur sulmet ndaj qytetit, trupat vendase vazhdojnë ta ruajnë atë me kurajë, duke zmbrapsur sulme të shumta armike.

Shefi i shtabit u ka bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë me qetësi ndaj lajmeve të rreme të atyre që sipas tij, shpikin fitore që nuk ekzistojnë.

Edhe zëvendës ministri i Mbrojtjes ka deklaruar se njoftimi i “Wagner” ishte “qesharak”.

Analistë të Institutit për Studimet e Luftës deklaruan se Ukraina zotëron ende pjesën dërrmuese të qytetit, edhe pse trupat ruse po përpiqen ta aneksojnë nga jugu dhe lindja.

Sipas tyre, godina e këshillit bashkiak të qytetit ndodhet në pjesën e pretenduar nga Rusia.

“Wagner”, zyrtarisht e quajtur një kompani private ushtarake, ka pësuar humbje të shumta gjatë luftimeve në Bakhmut.

Shumë nga rekrutët e saj janë të dënuar të liruar nga burgjet ruse, me qëllim shtimin e numrit të luftëtarëve të grupit.

Përkrah tyre luftojnë edhe ushtarë të rregullt të Rusisë, humbjet e të cilëve mendohet se kanë qenë më të mëdha se ato të palës ukrainase.

Marketing