Billbordi “Mirë se vini në Shkup” u hoq nga hyrja e qytetit

Billbordi “Mirë se vini në Shkup” u hoq nga hyrja e qytetit

Vetëm një ditë qëndroi billbordi përmes të cilit kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, u uronte vizitorëve “Mirë se vini në Shkup”.

Pas reagimeve të shumta të opinionit në rrjetet sociale, billbordi sot është larguar nga hyrja e qytetit.

Në rrjetet sociale pati kritika të ashpra se gjatë përgatitjes së tij ishte përdorur inteligjenca artificiale, se objektet nuk ishin paraqitur në mënyrë reale dhe se kishte shumë gabime në paraqitjen e simboleve të Shkupit.

Reagime pati edhe për mospërfshirjen e objekteve të tjera fetare dhe kulturore, për mungesën e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, si dhe për mosrespektimin e gjuhës shqipe në mbishkrimin e vendosur në hyrje të kryeqytetit.

Me reagime të ashpra dolën edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, këshilltarët shqiptarë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, si dhe partia “E Majta”.

Qytetarët informuan sot se billbordi tashmë ishte hequr, ndërsa nga Qyteti i Shkupit nuk pati asnjë informacion se kush e kishte përgatitur, kush e kishte larguar dhe për çfarë arsye. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF