Biseda intensive për riformatimin e Qeverisë, Kasami: Individë po e braktisin ASh-në, të tjerët janë në VLEN

Pas largimit të ASh-së së Taravarit nga Qeveria po zhvillohen bisedime intensive për riformatimin e Qeverisë, njoftojnë nga koalicioni VLEN. Nga atje thonë se VLEN-i do t’i ruajë pozitat në ekzekutiv. Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se këto ditë do të dihen edhe emrat e ministrave dhe zëvendësministrave.

Marketing

“Këto ditë do të dihen emrat e ministrave, zëvendësministrave. Për ne ky është proces i rëndësishëm, sepse Ministria e Shëndetësisë është ministri shumë e rëndësishme, në mënyrë që të kemi rezultate të cilat ua kemi ofruar qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Vetëm individë të cilët bashkëpunojnë në ndonjë mënyrë apo formë me BDI-në nuk janë të mirëseardhur, por ne vlerësojmë se Aleanca për Shqiptarët dhe të gjithë të cilët duan të mbeten në Aleancën për shqiptarët dhe për atë arsye në VLEN janë të mirëseardhur. Kështu që tashmë filloi ajo si procedurë.”, – deklaroi Bilall Kasami nga VLEN.

Ndërkohë, Kasami tha se dorëheqjet nga ASh-ja nuk e kanë dëmtuar koalicionin, pasi siç tha, ata i përkasin vetëm disa individëve, ndërsa pjesa tjetër do të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë dhe e partisë së re VLEN. Ai shtoi se Aleanca për Shqiptarët është tashmë pjesë e koalicionit VLEN dhe në të ardhmen do të bëhet pjesë e partisë së përbashkët me të njëjtin emër.

“Një është Aleanca për Shqiptarët, ajo që është pjesë e koalicionit VLEN, ka procedura nga aspekti juridik, të cilat janë në procedurë ligjore. Ne shpresojmë se kjo do të përfundojë shpejt në interes të Aleancës për Shqiptarët, të them, të vërtetës. Por, për ne me rëndësi është ku janë votuesit e ASh-së, ndërsa votuesit e Aleancës për Shqiptarët janë si pjesë e VLEN-it, sepse ishin faktorë të rëndësishëm në fitoren në zgjedhjet parlamentare. Nga aspekti formal, tashmë është sjellë vendimi që VLEN-i të bëhet parti politike dhe subjekt politik. Kështu që për ne është shumë më pak e rëndësishme, a i kanë vulat apo jo, për ne është me rëndësi votuesit e Aleancës për Shqiptarët të jenë atje ku ishin në zgjedhjet e fundit parlamentare.”, – theksoi Bilall Kasami nga VLEN.

Nga VLEN-i thonë se me formatimin e ri të Qeverisë, pozitat në ekzekutiv do të plotësohen me profesionistët më të mirë dhe se VLEN-i do të vazhdojë edhe më e fortë dhe më e bashkuar, e për këtë, siç thanë, do të dëshmojnë zgjedhjet lokale në vjeshtë.