Ministri i Punëve të Jashtme dhe Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, sot, menjëherë pas mbërritjes në Astana, që është pjesë e turneut të tij në Azinë Qendrore, për shkak të ndjeshmërisë së situatës aktuale në Korridorin e Laçinit dhe nevojës për një reagim të menjëhershëm, zhvilloi dy biseda të veçanta telefonike me Ministrat e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit dhe Armenisë, Xhejhun Bajramov dhe Ararat Mirzojan.
Osmani, kumtuan nga MPJ-ja, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën rreth Korridorit të Laçinit dhe ndikimin në popullatën civile, veçanërisht grupet e prekura, përfshirë gratë dhe fëmijët. Njëherit, Osmani theksoi se është duke e monitoruar me kujdes situatën në Korridorin e Laçinit dhe përsëriti thirrjen e tij për dialog konstruktiv dhe produktiv, si rrugë për zgjidhje të qëndrueshme, në të mirë të popullatës vendase.
“Kryesuesi, Osmani theksoi se duhet të mbizotërojnë aspektet humanitare dhe nevojat e drejtpërdrejta të qytetarëve. Ai thekson gjithashtu nevojën e përdorimit të mekanizmave të OSBE-së dhe masave të duhura si pjesë e zgjidhjeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e besimit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit”m kumtuan nga MPJ-ja.
Kryesuesi i OSBE-së Osmani, e konfirmoi gatishmërinë e tij për ta vazhduar angazhimin personal, aktiv me palët dhe në këtë drejtim përsëriti se Maqedonia e Veriut është e gatshme të ofrojë platformë për dialog, duke shtuar përpjekjet dhe zgjidhjet e mundshme për paqe të qëndrueshme.