Bisedimet me Bullgarinë, të hënën Buçkovski udhëton drejt Sofjes

Përfaqësuesi special për tejkalimin e dallimeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, Vllado Buçkovski, të hënën do të fillojë ofensivën e re diplomatike për tejkalimin e dallimeve mes dy vendeve.

Marketing

Zëvendëskryeministri bullgar, Krasamir Karakaçanov, në një deklaratë për radion bullgare K2, potencoi se ka tentime serioze nga pala maqedonase për ripërtëritje të komunikimit dhe bisedimeve mes të dyja vendeve për tejkalimin e dallimeve. Karakaçanov po ashtu potencoi se të martën ose të mërkurën do të ketë takim me ndërmjetësuesin Buçkovski, por Bullgaria, sipas tij, nuk do të tërhiqet nga pozicionet e saj.

“Nuk ka asnjë ndryshim apo lëshim në pozicionet bullgare. Nga dhjetori i vitit të kaluar po shohim një retorike anti-bullgare nga pala maqedonase, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për raporte të mediave apo porosi nga persona zyrtarë. Pas kësaj mendoj se Bullgaria jo që nuk duhet të lëshon pe për këtë çështje, por mendoj se edhe më shumë duhet të përforcojë pozicionet e saj.”,- deklaroi zëvendëskryeministri i Bullgarisë, Krasimir Karakacanov.

Edhe Buçkovski e ka konfirmuar angazhimin për intensifikimin e bisedimeve. Autoritetet në vend kanë theksuar se qëllimi i përpjekjeve për vazhdimin e dialogut do të jetë kthimi i besimit në marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes të dyja vendeve, por në tavolinë do të vendoset edhe plani aksionar, për implementimin e marrëveshjes, e cila është një ndër tre kërkesat e palës bullgare.

Ambiciet e vendit për të intensifikuar bisedimet me Bullgarinë vijnë pas prononcimit të ministrit portugez të punëve të jashtme se fillimi i bisedimeve për anëtarësim me RMV-në do të jetë synimi kryesor i Portugalisë gjatë kryesimit me BE-në.

Marketing