Biznesmeni dhe filantropi i njohur Lazim Destani pjesëmarrës në Konferencën ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”

Biznesmeni dhe filantropi i njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Lazim Destani mori pjesë në Konferencën ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës” të organizuar nga Unioni i afaristëve Vizioni – Preshevë, Medvegjë, Bujanoc.

Marketing

“Jam i lumtur që ndodhem sot këtu në Preshevë për të marrë pjesë e për të kontribuar në këtë Konferencë ekonomike të organizuar nga Unioni i afaristëve Vizioni – Preshevë, Medvegjë, Bujanoc”, ka thënë në fjalën hyrëse Destani.
Sipas tij, kjo pjesëmarrje e gjerë patjetër që ofron mundësi të mëdha bashkëpunimi mes kompanive tona ku gjithsesi edhe Odat Ekonomike kanë rol shumë të madh me mbështetjen dhe lehtësirat që u ofrojnë kompanive, si për bashkëpunim ashtu dhe për investime potenciale.
“Kam marrë pjesë në shumë Konferenca ekonomike të nivelit kombëtar apo ndërkombëtar por pjesëmarrja në këtë Konferencë është po aq e veçantë sa dhe vetë motoja e kësaj Konference: “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”! Kam përshtypjen se në Luginën e Preshevës kjo është Konferenca e parë ekonomike e këtyre përmasave, me pjesëmarrje të gjerë të Odave dhe subjekteve ekonomike si dhe bizneseve nga të gjitha trojet tona e nga diaspora”, ka thënë filantropi i njohur nga Tetova.
Kjo pjesëmarrje e gjerë patjetër që ofron mundësi të mëdha bashkëpunimi mes kompanive tona ku gjithsesi edhe Odat Ekonomike, siç shton, “kanë rol shumë të madh me mbështetjen dhe lehtësirat që u ofrojnë kompanive, si për bashkëpunim ashtu dhe për investime potenciale”.
“Lugina e Preshevës kërkon dhe meriton të ketë vëmendjen e klasës së biznesit. Investimet këtu le t’i konsiderojmë edhe si obligim tonin për ta mbështetur popullatën e këtushme. Kontributi ynë për zhvillimin ekonomik të kësaj ane është i pazëvendësueshëm dhe me rol jetik për zhvillimin e përgjithshëm të Luginës”, shton Destani.
Faktorit politik të Luginës së Preshevës si dhe institucioneve vendore të atjeshme, ai u bëri thirrje për unitet e për veprime mbështetëse për bizneset e për investime të reja.
Zonat e Lira Ekonomike për shembull luajnë rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, andaj drejtuesit e komunave të Luginës mbase mund të bëjnë përpjekje për ndonjë të tillë. Këto zona, sipas tij, ofrojnë mundësi të shkëlqyera për investitorët dhe sidomos për investime të huaja direkte dhe këto janë investime që paraqesin segment tejet të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi.
“Dëshiroj më të mirën për Luginën e Preshevës dhe Konferencës i uroj punime të mbara dhe shumë suksese!”, ka thënë mes tjerash Destani ku për iniciativën dhe organizimin e kësaj konference përgëzoi veçmas kryesinë e Unionit të afaristëve Vizioni dhe në veçanti kryetarin Xhelal Memeti.