Blegtorët dibran derdhin qumështin në rrugë, revoltë ndaj izolimit: 1,5 ton s’kemi ku e çojmë?

Për shkak të masave të Qeverisë me të cilët ndalohet shitja e prodhimeve dibrane jashtë komune, përfaqësues të blegtorëve të shoqatës “Dashi” protestuan para Komunës së Dibrës, ndërsa derdhën qumështin në shenjë revolte pasi prodhimi nuk ka si të shitet. Kjo situatë po ndodhë për shkak të izolimit të komunës së Dibrës, si pasojë e gripit pandemik.

Marketing

Protesta ishte e qetë, por përfaqësuesit të blegtorëve dibran thanë se dëmet nga mos plasmani i qumështit në qumështoren në Tërnicë është shumë i madh. Ata thonë se me këtë qumështore kanë kontratë për të dërguar 1.5 ton qumësht në ditë. Duke marrë parasysh situatën aktuale, qumështi në fjalë në pjesën dërmuese prishet dhe derdhet.

Fermeri i njohur dibran, Murat Daci, deklaroi se nëse nuk merret parasysh kërkesa për plasmanin e qumështit jashtë territorit të Dibrës, blegtorët do të fillojnë protesta masive të përditshme. “Nëse i është dhënë Knaufit mundësi për punë dhe eksport, përse prodhimi jon të mbetet pa plasman”, thotë Daci. Në ndërkohe, edhe mbi 20 mijë qengja, të cilët ishin planifikuar për plasman në disa shtete të Evropës, ngelën në fermat e Dibrës, me çka blegtorët thonë se është shkaktuar dëm i madh material.