Gazetari shqiptar dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhen në Dhomat e Paraburgimit në Hagë.
Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, ku shfaqet para dyerve të burgut të Hagës, Fezviu njoftoi se është takuar me ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Hashim Thaçi.
Me të tha se ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Pas kësaj dere ndodhen katër nga drejtuesit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe katër nga drejtuesit e mëpasshëm politikë të Kosovës së pavarur: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Unë vizitova sot Hashim Thaçin, ish-president dhe ish-kryeministër i Kosovës. Ai ishte në një gjendje shumë të mirë, qoftë psikologjike apo fizike. Edhe të akuzuarit e tjerë janë në gjendje të mirë”, deklaroi Fevziu.
Mes tjerash, gazetari shqiptar ka shprehur bindjen se akuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së është e pavërtetë dhe nuk mund të vërtetohet.
“Është një akuzë e ngritur politikisht, por që nuk argumentohet. Ata po bëjnë sot betejën e tyre të dytë, pas betejës për pavarësinë e Kosovës, pas betejës për ta hequr zgjedhën serbe, e cila ka ngritur kaq varre masive në Kosovë”, deklaroi Fevziu. https://m.facebook.com/blendifevziu/videos/4648563885244319/