Bleu naftë nga Irani, ShBA-ja sanksionon kompaninë shtetërore kineze

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur sanksione financiare kompanisë shtetërore kineze, Zhuhai Zhenrong, për shkak të dyshimeve se i ka shkelur sanksionet ndaj Iranit. Lajmin e bëri të ditur sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo.

Marketing

“Kemi thënë se do ta sanksionojnë çdo veprim të sanksionueshëm dhe këtë e kemi njëmend”, tha Pompeo të hënën gjatë një fjalimi në Florida, gjatë të cilit njoftoi për sanksionet ndaj kompanisë kineze.

Ky vendim vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Iranit dhe shteteve perëndimore dhe mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, të cilat janë përfshirë në një luftë të madhe tregtare.

Administrata e presidentit amerikan i ka ashpërsuar sanksionet ndaj Iranit pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe fuqive botërore, e cila ishte arritur gjatë pushtetit të ish-presidentit të ShBA-së, Barack Obama.

Në një deklaratë të publikuar më vonë, Pompeo tha se kjo kompani kineze është përfshirë me vetëdije në blerjen e naftës së papërpunuar nga Irani.

Me anë të këtyre sanksioneve janë bllokuar të gjitha pronat e kësaj kompanie në Shtetet e Bashkuara, ndërsa shefit të saj, Youmin Li, i ndalohet hyrja në territorin e ShBA-së, shkruan “Reuters”.