Blinken fillon mision të ri diplomatik në Lindjen e Mesme, mes shqetësimeve mbi zgjerimin e konfliktit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e filloi misionin e tij më të fundit urgjent diplomatik në Lindjen e Mesme të shtunën në Turqi, ndërsa shtohet frika se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë mund të kthehet në një konflikt më të gjerë.

Marketing

Vizita e katërt e zotit Blinken në tre muaj vjen mes zhvillimeve shqetësuese jashtë Gazës, përfshirë Libanin, Izraelin verior, Detin e Kuq dhe Irakun.
Sekretari Blinken u takua me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe ministrin e Jashtëm Hakan Fidan për të diskutuar për ndikimin që mund të ushtrojë Turqia dhe vende të tjera veçanërisht ndaj Iranit dhe grupeve aleate me të, për të lehtësuar tensionet në rritje, për të përshpejtuar dërgesat e ndihmave humanitare në Gazë dhe për të filluar planifikimin për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës së pasluftës. Pjesa më e madhe e territorit është kthyer në gërmadha nga tre muaj bombardime intensive izraelite.

Presidenti Erdogan, është një kritik i ashpër u veprimeve ushtarake të Izraelit në Gazë. Ndryshe nga SHBA, Turqia nuk e konsideron Hamasin si një grup terrorist.

Vetëm disa orë përpara se sa zoti Blinken të mbërrinte në Turqi, Hezbollahu një milici në Liban që mbështetet nga Irani hodhi dhjetëra raketa në veri të Izraelit, duke paralajmëruar se ky ishte vetëm fillimi i një kundërpërgjigjeje ndaj vrasjes së një udhëheqësi të lartë të Hamasit, mesa duket nga Izraeli.

Ndërkohë, sulmet e intensifikuara ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani po pengojnë tregtinë ndërkombëtare dhe kanë sjellë si rezultat rritjen e përpjekjeve nga ana e SHBA-së dhe aleatëve të saj për të patrulluar zonën dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve.

Pas Turqisë, zoti Blinken do të shkojë në ishullin e Kretës për të takuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Greqia, anëtare e NATO-s, është në pritje të miratimit nga Kongresi i SHBA-së të një shitjeje avionësh luftarakë F-35.

Në ditët në vazhdim, sekretari amerikan i shtetit do të vizitojë vende arabe, Izraelin dhe Bregun Perëndimor, ku do të përcjellë mesazhin se Uashingtoni nuk dëshiron një përshkallëzim rajonal të konfliktit të Gazës.

Marketing