Blinken: Imunizimi global duhet të përshpejtohet

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha të enjten se vaksinimi në shkallë globale kundër COVID-19 duhet të shpejtohet për të mposhtur mutacionet e virusit. Ai shtoi në një intervistë me rrjetin MSNBC gjatë vizitës në Ukrainë se SHBA po shikojnë mundësinë se si të bëjnë më shumë për të ndihmuar.

“Nëse e gjithë bota nuk bën më shumë, ajo nuk do të arrijë të vaksinohet para vitit 2024. Ne mund ta shpejtojmë këtë dhe ta kryejmë në një kohë shumë më të shkurtër,” tha zoti Blinken.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar të fillojnë të japin deri në 60 milion doza të vaksinës së AstraZeneca për vendet e tjera dhe të mërkurën Presidenti Joe Biden shprehu mbështetje për heqjen dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale për vaksinat kundër COVID-19.

Marketing

“Po studiojmë edhe aspekte të tjera, por gjëja kryesore është se duhet ta shpejtojmë këtë,” tha Sekretari Blinken. “Askush prej nesh nuk do të jetë plotësisht i sigurt derisa … të kemi vaksinuar sa më shumë njerëz,” tha ai.

Ai tha se heqja dorë nga patentat është “një mjet i mundshëm për rritjen e prodhimit dhe qasjes ndaj vaksinave”. Vendimi i Shteteve të Bashkuara i hap rrugën negociatave të reja në Organizatën Botërore të Tregtisë për të hartuar një plan konkret. Negociatat mund të zgjasin disa muaj.

Komentet vijnë në një situatë kur në Indi ka patur një shpërthim shkatërrimtar të infeksioneve me COVID. Javën e kaluar, India pati 46% të rasteve të reja të regjistruara në të gjithë botën dhe ka shenja që shpërthimi po përhapet në Nepal, Sri Lanka dhe vende të tjera fqinje.

“Nëse virusi po shndërrohet në një variant të ri, ai mund të kthehet këtu dhe të na infektojë edhe pse njerëzit janë vaksinuar, prandaj ne duhet t’i dalim përpara kësaj në të gjithë botën,” tha sekretari Blinken./VOA