Blinken: Po punojmë për krijimin e zonave të sigurta në Gazë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Izraelit që të minimizojë vdekjen e civilëve palestinezë, duke thënë se SHBA-ja po punon për të krijuar zona të sigurta në Rripin e Gazës.

Marketing

Pas vizitës në Tel Aviv një ditë më herët, Blinken nisi një turne në gjashtë shtete arabe dhe në Katar ai mbrojti sërish të drejtën e Izraelit për t’u përgjigjur pas sulmeve masive të militantëve palestinezë të Hamasit, por kërkoi që të mbrohen civilët palestinezë.

“Ne i kemi bërë thirrje Izraelit të përdorë çdo mbrojtje të mundshme për të shmangur dëmet në mesin e civilëve. Ne e dimë se shumë familje palestineze në Gaza po vuajnë pa faj dhe ka të vrarë në mesin e civilëve palestinezë”, tha ai gjatë konferencës në Katar.

Blinken po ashtu ka diskutuar për mënyrat se si të mbrohen civilët në Gazën që kontrollohet nga Hamasi, pasi Izraeli paralajmëroi më 13 tetor mbi 1 milion palestinezë që të largoheshin në jug të Rripit të Gazës, para një sulmi të mundshëm tokësor.

Militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor nisën sulme masive nga toka, ajri dhe deti, ndaj Izraelit, duke vrarë mbi 1.300 persona, përfshirë fëmijë dhe të moshuar.

Ndërkaq, nga sulmet hakmarrëse izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë të paktën 1.779 persona, teksa Izraeli po ashtu ka ndërprerë furnizimet me ushqim, ujë dhe rrymë për këtë territor.

Marketing