Blinken, thirrje Izraelit të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje Izraelit për të bërë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë. Ai i bëri komentet pas takimeve me zyrtarët më të lartë të vendit. Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të bindin Izraelin që të lejojë pauza humanitare për të ndihmuar civilët. Por vizita e kryediplomatit amerikan erdhi mes intensifikimit të sulmeve nga ajri, toka dhe deti në Gazë dhe kryeministri Benjamin Netanyahu tha se nuk do të ketë armëpushim të përkohshëm, nëse nuk kthehen pengjet.

Marketing

Sekretari Blinken theksoi se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në solidaritet me Izraelin, por shtoi se edhe mënyra se si bëhet lufta ka rëndësi dhe tha se duhet bërë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë.

“Hamasi nuk mendon aspak për mirëqenien e popullit palestinez dhe i përdor civilët në mënyrë cinike dhe monstruoze si mburoja njerëzore, duke i vendosur komandantët e vet, armët dhe municionet e tij brenda ose poshtë ndërtesave të banimit, shkollave, xhamive, spitaleve. Por civilët nuk duhet të vuajnë pasojat për brutalitetin e Hamasit. Ne i dhamë Izraelit këshilla që vetëm miqtë më të mirë mund t’i japin se si të minimizohen vdekjet e civilëve, duke arritur njëkohësisht objektivat për gjetjen dhe eliminimin e terroristëve të Hamasit dhe infrastrukturës së tyre të dhunës”.

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara tek krijimi i kushteve për paqe të qendrueshme drejt një zgjidhjeje me dy shtete.

“Pikërisht tani, në momentet më të errëta, ne duhet të luftojmë më fort për të ruajtur një rrugë drejt stabilitetit, sigurisë, mundësive, integrimit, mirëqenies dhe paqes. Jo nesër, jo pas luftës, por sot.”
Por nuk ka shenja se Izraeli po mendon të ndalë sulmet. Pas takimit me sekretarin Blinken, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përjashtoi mundësinë e një armëpushimi të përkohshëm.

“E bëra të qartë se ne vazhdojmë me gjithë forcën dhe se Izraeli refuzon një armëpushim të përkohshëm që nuk përfshin kthimin e pengjeve tona. Izraeli nuk lejon futjen e karburantin në Rripin e Gazës dhe është kundër transferimit të fondeve në Rripin e Gazës”.

Zoti Netanyahu tha se ofensiva ushtarake do të vazhdojë.

“Qëllimi i armiqve tanë është shkatërrimi i shtetit të Izraelit, dhe unë u them atyre: armiqtë tanë do të dështojnë. Ata do të mposhten. Nuk do të ndalemi deri në fitore, derisa të arrihen objektivat që kemi vendosur”.

Ndërkohë ushtria izraelite publikoi pamje të reja nga sulmet kundër militantëve të Hamasit.

Ushtria tha se një nga videot tregonte forcat izraelite duke shkatërruar tunele të Hamasit në Rripin e Gazës.

“Forcat tona vazhdojnë të shkatërrojnë vijat e mbrojtjes së Hamasit në veri të Gazës dhe të marrin nën kontroll zonat qendrore. Ne vazhdojmë të intensifikojmë operacionin tonë dhe të përparojmë sipas planit dhe objektivave që kemi vendosur. Beteja po vazhdon siç e kemi planifikuar, në çdo betejë ne kemi avantazh”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari.

Hamasi dhe aleati i tij i Xhihadit Islamik thanë se luftëtarët e tyre kishin ndërmarrë goditje me eksplozivë, granata të lëshuara me dronë dhe raketa antitank ndaj trupave që përparonin, në një luftë të ashpër urbane rreth ndërtesave të shkatërruara dhe rrënojave në qytetin e Gazës.

Viktimat në rritje në mesin e civilëve palestinezë, së bashku me mungesat e mëdha të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe karburantit, kanë intensifikuar thirrjet nga udhëheqësit botërorë për një armëpushim, ose të paktën një pauzë në luftime. Izraeli i ka hedhur poshtë këto thirrje, duke thënë se luftëtarët e Hamasit fshihen qëllimisht mes ndërtesave ku banojnë civilët.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se nuk po kërkon armëpushim, por vetëm pauza humanitare për të ndihmuar civilët.

Është hera e tretë që Sekretari Blinken qëndron në Izrael, që pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Ai shkon në Jordani të shtunën për t’u takuar me ministrin e jashtëm të vendit. Jordania ka akuzuar Izraelin për krime lufte.

Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmëruan të premten se tensioni në Lindjen e Mesme “po i afrohej një pike vlimi” dhe se “rreziku i përhapjes rajonale dhe përshkallëzimit të mëtejshëm është real”.