Qytetarët e Tetovës kanë vazhduar edhe sonte protestat kundër shtrenjtimit të çmimit të rrymës elektrike, përmes bllokimit të rrugës Zhelinë-Bërvenicë.
Krenar Osmani, njëri nga organizatorët e protestave nga iniciativa qytetare “Boll më”, ka theksuar përsëri nevojën për plotësimin e kërkesave të parashtruara tash e disa muaj nga prot*estuesit
Protesta të ngjashme, por në segmente të ndryshme të autostradës “Nëna Terezë”, janë realizuar edhe javëve të kaluara.
Cilat janë kërkesat e këshillit organizativ?
Anulimi i rritjes së fundit të çmimit së energjisë elektrike. Zbritja e çmimit të kilovatit për 46%. Eliminimi i monopolit të EVN-së Ulja e TVSH-së nga 18% në 5%. Krijimi i një trupi të tretë arbitrar i cili do të monitoroje punën e EVN-së, si dhe do të shqyrtoje kërkesat-ankesat e konsumatorëve. Falja e borxheve të akumuluara të rasteve sociale
Shlyerja e kamatë-vonesave për të gjitha shtresat e konsumatorëve.
Më herët kryeministri Zoran Zaev në një konferencë për shtyp kishte deklaruar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të konsideroje uljen e çmimit të TVSH-së për energjinë elektrike nga 18 në 5%.
“Gjithçka që është e mirë për qytetarët është menjëherë e pranueshme për mua që nga fillimi, por unë jam kryetar i qeverisë dhe ne duhet të llogarisim për të ditur se çfarë do të thotë kjo për stabilitetin ekonomik të vendit, burimet financiare të vendit dhe burimet e ndihmës për ekonominë e Maqedonisë”, deklaroi Zaev një javë më herët.
Megjithatë, Krenar Osmani, një prej organizatorëve të prot*estave kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike këtë e konsideroi si diçka pozitive, megjithatë, si përmbushje të vetëm njërës prej tetë kërkesave të tyre.
“Hap mirëbesimi, hapi i parë i mirëbesimin se do të arrihet kompromis apo marrëveshja për realizimin e të gjitha kërkesave, ajo është realisht një nga 8 pikat e katër kërkesave” tha Krenar Osmani.
Në paralajmërim e sipër është formulimi i një projekt-ligji përmes së cilit parashihet përfshirja e të gjithë kërkesave të këshillit organizativ protestues. Dy javë më herët përfaqësues të të gjithë partive politike premtuan se në rast se një ligj i tillë do të sillet në parlament, të njëjtit do të përkrahin atë./Portalb.