Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski u shpreh se mjetet e taksës rrugore në pikëpagesa do investohen në rrugë, ndërsa 95 e buxhetit të ministrisë do të shkojë në investime infrastrukturore.
“244 milionë euro nga buxheti i ministrisë janë destinuar për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Gjithsesi, në mënyrë plotësuese kontribuon Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore me buxhetin e saj. Kemi planifikuar mjete edhe për ndërtimin e rrugëve lokale, rreth 6 milionë euro, të cilat do të vihen në dispozicion për komunat. Në Korridorin 8, me prioritet janë akset Tetovë-Gostivar-Kërçovë, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë. Dhe në Korridorin 10 aksi Prilep-Manastir dhe aksi Shkup-Bllacë që është me rëndësi të veçantë për shtetin për t’u ndërtuar, si rrjedhojë presim që gjatë vitit të ardhshëm të shpallet tenderi për segmentin e dytë për Shkup-Bllacë”, tha ministri Bllagoj Boçvarski.
Ai shtoi se deri në gjysmën e dhjetorit është arritur mbledhje rekorde nga pikë pagesat prej 50 milion euro.
“Aktualisht, investojmë më tepër në infrastrukturën rrugore sesa ajo që mbledh Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, vetëm në Korridorin 8, aksi Kërçovë-Ohër ka kushtuar 600 milionë euro, për atë duhet të sigurohen mjete shtesë. Për autostradën Gradsko-Prilep mbi 50 milionë euro, në drejtimin rrugor të Qafës së Pletvarit e cila është përfunduar është mbi 5 milionë euro dhe 64 milionë euro në autostradën e Shtipit në Radovish, e cila përfundoi edhe këtë vit”, u shpreh Boçvarski.