Bojkoti i marketeve, Baush: Politikat e gabuara kanë sjellë këtë rezultat

Bojkoti është mjeti i fundit për të shprehur revoltën e qytetarëve në mënyrë demokratike, nëse ai nuk krijon vetëdije në vetvete nuk është bojkot, thotë analisti Abil Baush. Sipas tij, disa politika që kanë krijuar qeveritë për dekada me radhë, kanë sjellë rezultatet që kemi sot: rritje çmimesh, mungesë produktesh, konkurrencë jolojale. Ai mendon se presioni i qytetarëve përmes bojkotit disaditorë nuk do të japë rezultate afatgjate.

Marketing

“Konkurrencë nuk ekziston fare, që është postulat i ekonomisë së lirë dhe kemi ardhur në një situatë, ku bëjmë një revoltë, e cila doemos do të japë rezultat, por do të jetë rezultat afatshkurtër. Këto rezultate do të duhet patjetër në mënyrë integruese dhe një zgjim i qytetarëve, për të gjithë politikat të cilat bëhen prej politikave makroekonomike, tatimore, politikat sociale, të cilat ndikojnë dhe janë përditshmëri për qytetarët. Vijmë në një situatë kur e kemi bojkotin, por nuk kemi përgjigje nga asnjëra anë. Bojkoti do të ishte efektiv, nëse zgjatet, por edhe nëse kemi njëfarëlloj politike apo reflektimi nga aktorët të cilët e krijojnë politikën makroekonomike, edhe në përgjithësi prej qytetarëve, duhet të kërkohet një lloj përgjegjësie për gjërat që na ndodhin për momentin në vendin tonë.”, – deklaroi analisti, Abil Baush.

Sipas Baushit, nëse qytetarët lejojnë që afaristët të bëjnë praktika jokorrekte në aspektin ekonomik, ata do ta bëjnë, sepse fundja punojnë për profit. Ai gjithashtu shton se rregullatorët që janë në treg, duhet që t’i verifikojnë këto praktika jokorrekte, sepse ekziston ligji tregtar për praktika të tilla dhe ato që e shkelin duhet të dënohen.

Qytetarët filluan bojkotin e marketeve, javën e kaluar. Ditën e bojkotit, marketet patën qarkullim pothuajse të përgjysmuar me 46.59%, njoftuan nga DAP-i. Ky aksion fillimisht ka nisur në Kroaci, ndërsa është mbështetur edhe nga vendet e tjera të rajonit. Së fundmi ka paralajmërime për bojkotin e marketeve, për shkak të çmimeve të larta edhe në Kosovë dhe Shqipëri. (TVM2)