BDI thotë se me publikimin e bisedave të përgjuara të funksionarëve të lartë të partisë në rrjetet sociale duhet të merren institucionet kompetente. Zëdhënësi i partisë Bujar Osmani pas disa ditë heshtje tha se në BDI nuk ka ndonjë lëvizje për analizimin e çështjes. Osmani shtoi se bisedat janë private dhe institucionet duhet të garantojnë privatësinë e çdo qytetari përfshirë edhe të funksionarëve të partisë.
Nuk ka ndonjë lëvizje në parti për të analizuar. Për shkak se vlerësojmë se është punë e institucioneve dhe ne kemi çështje tjera për të biseduar. Biles unë nga Brukseli dhe nga Roma duke biseduar me kryetarin Ahmeti a kemi qëndrim ose duhet të bëjmë diçka. Qëndrimi i tij është se nuk duhet të lodhemi me këtë punë por duhet të sigurojmë datën për bisedime për këtë vit. Ashtu që nuk ka ndonjë qëndrim sepse nuk jemi marrë me këtë punë. Është punë e institucioneve ata duhet të shohin të garantojnë që privatësia e njerëzve kushdo që janë ata është e garantuar”-tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Megjithëse është ngritur padi ndaj personit “El Cheka” i cili prej një javë tashmë publikon “bombat” në rrjetet sociale, Prokuroria nuk jep detaje nëse është kualifikuar vepra penale për të cilën do të ndiqet. Në bisedat e përgjuara që janë publikuar deri më sot protagonistë janë Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, si dhe kreu i Kërçovës Fatmir Deari. . “El Cheka” në një reagim në Facebook ka theksuar se posedon mijëra përgjime të cilat do t’i publikojë duke shtuar se projekti i tij për zbardhjen e të vërtetës do të vazhdojë edhe në rast se cenohet siguria e tij. “Bomba” të reja ai ka publikuar edhe sot, ndërsa pretendon se i ka siguruar nga pjesëtarë të grupit të Kumanovës.