Bordi këshillëdhënës për të drejta të njeriut i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) i bëri thirrje kësaj organizate që të caktojë një afat kohor, kur do të përfundojë ndalesa që pengon gratë iraniane të ndjekin ngjarjet sportive të meshkujve.
“FIFA duhet të jetë e qartë, duke i dhënë Federatës iraniane të Futbollit një afat kohor për t’u pajtuar dhe duke e paralajmëruar atë për sanksione nëse nuk e respekton”, thanë ekspertët për të drejta të njeriut të FIFA-s.
Gratë në Iran nuk lejohen të hyjnë në stadiumet e futbollit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Konservatorët thonë se ndalesa i mbron ato nga të dëgjuarit e gjuhës së papërshtatshme dhe nga të parit e sportistëve meshkuj me uniforma që u zbulojnë pjesë të trupit.
Aktivistët e të drejtave të njeriut e cilësojnë ndalesën si një shembull të diskriminimit gjinor në Republikën Islame.
Bordi këshillëdhënës i FIFA-s tha se presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka premtuar “zhvillime pozitive në këtë çështje në të ardhmen e afërt”.