Për shefin e diplomacisë europiane Josep Borrell, Ballkani Perëndimor është më pranë Bashkimit Europian se kurrë më parë.
Këtë deklaratë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme e bëri në një reagim me shkrim në përkujtim të ditës që shënon 20-vjetorin e zgjerimit më të madh që unionin ka patur ndonjëherë, pas ndasive të mëdha që përjetoi në Luftën e Dytë Botërore.
“Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë një dritare historike mundësish për të lidhur fuqimisht të ardhmen e tyre me Bashkimin Europian. Shtetet kandidate dhe Bashkimi Europian kanë një mundësi historike për të ndërtuar një union më të madh, më të thellë dhe më të fuqishëm”.
Borrell u shpreh se lufta ruse në Ukrainë është një tjetër dëshmi e fuqishme se ribashkimi i Europës ende nuk ka përfunduar dhe se sa i nevojshëm është për shuarjen e konflikteve.
Më 1 Maj 2004, 10 vende të reja iu bashkuan unionit, kryesisht nga lindja ish-komuniste, ku përfshihen Polonia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, vendet Baltike, si dhe Qipro e Malta.