Borrell: BE nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor

“E kam thënë shumë herë, dhe do ta them përsëri: Bashkimi Europian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor”, shprehet Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendëspresident i Komisionit Europian.

Marketing

Duke u ndalur te vizita e tij më e fundit në Ballkanin Perëndimor, Borrell shprehet se “pata mundësinë të takoja njerëz të jashtëzakonshëm dhe mbresëlënës nga të gjitha sferat e jetës. Fokusi qëndron në takimet me liderët politikë. Megjithatë, dua të veçoj shkëmbimet që kam patur me njerëzit e rajonit, aktivistë të rinj që duan ajër më të pastër dhe rajon më të gjelbër, gra me nxitjen për të arritur të ardhmen tonë të përbashkët europiane dhe që luftojnë për një rol më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve. Shpresoj që të gjithë këta njerëz me ide të shkëlqyera, ekspertizë, talent dhe vendosmëri, do të luajnë një rol të rëndësishëm në përparimin e procesit të pranimit në BE”.

“Shpesh herë politikat tona tingëllojnë të ndërlikuara, por në thelb nuk janë. Anëtarësimi në BE do të thotë ndërtimi i BE-së në shtëpi, në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Suksesi i partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e BE-së në shtëpi, nuk varet vetëm nga performanca e qeverive dhe institucioneve të BE-së. Ndërsa kjo është thelbësore, suksesi i vërtetë varet nga angazhimi i njerëzve në këto shoqëri, nga veprimet e qytetarëve, duke formuar shoqërinë në të cilën ata dhe fëmijët e tyre mund të përparojnë”, thekson zv.presidenti i KE-së.

Në këtë kontekst, shprehet ai, jam shumë krenar për fushatën tonë të fundit kushtuar popullit të Ballkanit Perëndimor, e quajtur “Europianë që bëjnë ndryshim”.

“E kam thënë shumë herë, dhe do ta them përsëri: Bashkimi Europian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Për ta kompletuar BE-në, për ta bërë atë më të fortë dhe më të suksesshme, kemi nevojë për njerëz si pjesëmarrësit e fushatës sonë: Selma Prodanovic nga Bosnjë-Hercegovina, Natasa Kovacevis nga Serbia, Tamara Todevska nga Maqedonia e Veriut, Detina dhe Argita Zalli nga Shqipëria, Mrika Nikçi nga Kosova dhe Maja Raicevic nga Mali i Zi”, deklaron Borrell.

Ai thotë se “historitë e tyre më kujtojnë pse rruga e pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE është kaq e rëndësishme për të gjithë ne në Europë. Procesi është për dhe rreth njerëzve”.

“Dhe ky proces duhet të ketë sukses, për interesin më të mirë të të gjithë njerëzve në Europë”, përfundon mesazhin e tij Borrell.