Borrell: Sanksionet e BE-së do të nxisin uljen e çmimit të naftës ruse

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se paketa e gjashtë me sanksione e bllokut evropian kundër Rusisë, e cila përfshin ndalesë të madhe në importet e naftës ruse, nuk do të ndikojë vetëm në sasinë e naftës që shet Moska jashtë shtetit, por edhe në ulje të çmimit.

Marketing

“Ne jemi klienti më i rëndësishëm për Rusinë”, u ka thënë Borrell gazetarëve, teksa i është bashkuar samitit dyditor të BE-së për të diskutuar luftën në Ukrainë.

“Qëllimi është që të ketë më pak burime financiare për Rusinë që të ushqejë makinerinë e saj të luftës”, ka shtuar ai.

Në orët e vona të 30 majit, liderët e bllokut evropian janë pajtuar për pakon e re të sanksioneve, të cilat pritet të bllokojnë dy të tretat e importeve të naftës ruse në BE.

Ndalesa përbën një kompromis, sepse nuk prek importet përmes tubacioneve, tani për tani, për shkak të kundërshtimeve të Hungarisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sanksionet duhet të përfshijnë naftën, “në mënyrë që Rusia ta vërejë çmimin e asaj që është duke bërë kundër Ukrainës dhe gjithë Evropës”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi dhe Kievi e shohin këtë arsyetim si të rremë për nisje të luftës./R.E.L