Borrell: Të papranueshme aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara në veri

Pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës dhe në disa komuna të tjera, ka reaguar Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell.

Marketing

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Borrell ka thënë se incidentet e dhunshme në veri duhet të ndalen menjëherë, teksa ka thënë se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar ai, transmeton lajmi.net.

Kujtojmë se mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion kundër kontrabandës në disa komuna të Kosovës, përfshirë këtu edhe Mitrovicën veriore.

Pas fillimit të aksionit në veri, policia është përballur me pengesa të shumta nga qytetarët serbë të cilët kanë protestuar kundër aksionit të policisë, duke sulmuar automjetet dhe zyrtarët policor me gurë, gaz lotsjellës e gjësende të tjera.