Borrell viziton Iranin me qëllim të “uljes së tensioneve”

Diplomati evropian, Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif kanë zhvilluar negociata në Teheran me qëllim të uljes së tensioneve lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Marketing

Borrell ka vizituar për herë të parë Iranin prej kur ka marrë pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe pas rritjes së tensioneve në mes të Uashingtonit dhe Teheranit, për shkak të vrasjes së një gjenerali iranian nga forcat amerikane në Bagad më 3 janar.

Borrell pritet të takohet edhe me presidentin iranian, Hassan Rohani dhe kryeparlamentarin, Ali Larijani.

Tensionet mes Iranit dhe SHBA-së janë përshkallëzuar edhe pas largimit të Uashingtonit më 2018 nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Që nga ajo kohë, SHBA-ja ka rikthyer sanksionet e ashpra eonomike ndaj këtij shteti, përmes fushatës me “presion maksimal”.

Për pasojë Teherani ka hequr dorë nga zbatimi i marrëveshjes bërthamore.

Misioni i Borrellit synon “të ulë tensionet dhe të kërkojë mundësi për zgjidhje politike për krizën aktuale”, ka thënë zyra e tij.

Borrell ka thënë muajin e kaluar se është konsultuar me shtetet që kanë nënshkruar marrëveshjen, përfshirë Rusinë dhe Kinën, dhe të gjitha janë të vendosura për ruajtje të marrëveshjes.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Musavi ka thënë në një konferencë për media se Teherani shpreson që vizita e Borrellit do t’i ndihmojë Bashkimit Evropian “të kuptojë” situatën në të cilën gjendet ky shtet.