Brazili, vendi i dytë në botë me numrin e viktimave nga koronavirusi

Brazili është bërë vendi i dytë në botë pas SHBA-së ku janë shënuar më shumë vdekje si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Marketing

Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se me 909 vdekjet e reja në 24 orët e fundit numri i viktimave në Brazil ka arritur në 41.828, ndërsa me 25.982 raste të reja ka arritur në 828.810 numri i rasteve.

Sipas infromacioneve në faqen e internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me COVID-19, duke kaluar Britaninë e Madhe në të cilën janë shënuar 41.481 vdekje për shkak të virusit, Brazili pas SHBA-së bëhet vendi i dytë në botë ku janë regjistruar më shumë vdekje dhe raste.

Qendra tregtare e vendit, rajoni Sao Paulo me një popullsi prej rreth 46 milionë banorë është rajoni më i prekur në vend nga pandemia me 167.900 raste dhe 10.368 vdekje.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë me numrin e rasteve që tejkalojnë shifrën 2 milionë e 114 mijë dhe me më shumë se 116 mijë vdekje të lidhura me COVID-19.

Brazili, me një popullsi prej më shumë se 211 milionë banorë, cilësohet si “epiqendra e pandemisë” në Amerikën Latine.

Teksti përmban të dhëna për periudhë të caktuar kohore. Statistikat në “Worldometer” ndryshojnë vazhdimisht.