Brenda ASH-së së Taravarit ka zëra ndryshe që nuk mendojnë si kreu i partisë, thonë nga VLEN

Pavarësisht veprimeve të Taravarit, VLEN shpreson që një pjesë e ASH-së të mbetet në VLEN dhe në qeveri. Njëri prej tyre, siç thonë ata, është zv.kryeministri Arben Fetai. Fetai është edhe i deleguar i partisë së Taravarit për të mbajtur komunikimin me VLEN-in gjatë periudhës së ardhshme.

Marketing

“Ne e shohim në opinion që ministri Arben Fetai është zëri ndryshe nga disa veprime të kryetarit të Aleancës. Ne urojmë që ky zë ndryshe në Aleancë të jetë i fuqishëm dhe sigurisht edhe më tutje ne do të dëshironim që ASH-ja të jetë pjesë e koalicionit VLEN, pjesë e qeverisë por në asnjë moment me element të cilët kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë edhe me BDI-në”, tha Bilall Kasami, VLEN.

Fetai gjatë ditëve të fundit, pavarësisht kritikave në relacionin VLEN-ASH dhe anasjelltas, ka deklaruar se ai nuk do të shajë ata me cilët sollën ndryshimin dhe se mbetet i përkushtuar për të çrrënjosur çdo komunë nga keqqeverisja e BDI-së.

“…a ishte VLEN shpresë? Po, pa më të voglin dyshim. Ishte një projekt i guximshëm kombëtar që na dëshmoi se po, shqiptarët mund të bashkohen kundër një të keqe të përbashkët. Unë besoj ende. Besoj se Aleanca për Shqiptarët do të mbetet besnike ndaj rrugës së saj – rrugës së Arbrit, të dinjitetit dhe guximit. Dhe besoj se, me vullnet të ndërsjellë, mund ta gjejmë formulën për të çliruar çdo komunë shqiptare nga keqqeverisja e BDI-së. Ky është misioni ynë. Për këtë mision do të vazhdoj të luftoj, pa i sharë ata me të cilët e sollëm ndryshimin, pa u përkulur”, deklaroi Arben Fetai, Aleanca për Shqiptarët.

VLEN beson se në ASH ka edhe persona të tjerë që dëshirojnë dhe do të mbeten në anën e tyre, pavarësisht vendimeve të kreut të partisë. /Alsat.mk