“Brexit”, dorëhiqet ministri i transportit

Një tjetër Johnson është dorëhequr nga qeveria britanike për shkak të “Brexit”-it. Pas Boris Johnsonit, tashmë është vëllai i tij Jo Johnson që braktis Ministrinë e Transportit, e madje i bën thirrje publikut që të flasë sërish mbi çështjen e shkëputjes nga Bashkimi Europian.

Marketing

Sipas deputetit Jo, marrëveshja e shkëputjes që po negociohet aktualisht me Bashkimin Europian “do të jetë një gabim i tmerrshëm”. E duke argumentuar se Britania ndodhej “në prag të krizës më të madhe” që prej Luftës së Dytë Botërore, ai tha se ajo që po ofrohet në tryezë “nuk ka të bëjë aspak me atë që ishte premtuar”.

“Doëning Street”, gjithsesi e falënderoi Jo Jonsonin për punën e bërë deri më tani, por përjashtoi mundësinë e mbajtjes së një tjetër referendumi. Jo Jonson votoi për të qëndruar në BE në referendumin e vitit 2016, ndërsa vëllai i tij Boris, i cili dha dorëheqjen në korrik nga posti i Sekretarit të Jashtëm, ishte një prej udhëheqësve të fushatës pro “Brexit”-it.

Vëllai i tij e lavdëroi vendimin e Jo, duke thënë se ata ishin “të bashkuar në kauzë” sa i përket mënyrës së menaxhimit nga kryeministrja të negociatave.

Ministrat e kabinetit janë ftuar këtë javë për të lexuar draftin e marrëveshjes së tërheqjes së Britanisë nga BE-ja. Theresa May ka thënë më herët se marrëveshja është rreth 95% e kryer, por ende nuk ka një pakt mbi mënyrën sesi do të garantohet një kufi me kushte shtrënguese në Irlandën e Veriut.

Marketing