Kryeministrja britanike Theresa May do të mundohet sërish t’i bindë deputetët që ta votojnë marrëveshjen e arritur për t’u larguar nga Bashkimi Europian.
Kjo do të jetë përpjekja e fundit për ta mbajtur të gjallë planin e saj, i cili synon largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian me 22 maj të këtij viti, shkruan Euronews.
Votimi ka të bëjë me marrëveshjen që mbulon kushtet e largimit. Kjo marrëveshje e arritur midis Londrës dhe Brukselit është miratuar edhe nga 27 anëtarët e tjerë të BE-së.
Kujtojmë se Kryeministrja May ka dështuar dy herë në qëllimin e saj për t’u larguar nga blloku me një marrëveshje të dyanshme. Kjo për shkak se deputetët në parlamentin britanik nuk e kanë miratuar marrëveshjen e saj.