Britani, nga 15 shkurti karantinë e detyrueshme në hotele

Shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar që kthehen nga vendet e vendosura në “listën e kuqe” të qeverisë nga 15 shkurti do të duhet të qëndrojnë në karantinë në hotele në kuadër të masave për të frenuar koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Vetë-izolimi për qytetarët dhe shtetasit që kthehen në Mbretërinë e Bashkuar nga Amerika e Jugut, Afrika Jugore, Portugalia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të jetë i detyrueshëm për 10 ditë.

Pasagjerët që kthehen do të vendosen në hotelet e miratuara nga qeveria dhe ata do të paguajnë koston e qëndrimit nga xhepi i tyre.

Politika e re, e njoftuar për herë të parë nga kryeministri Boris Johnson muajin e kaluar, synon të ndalojë rrjedhën e llojeve të reja të koronavirusit në vend, i cili tashmë ka pësuar numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë.

Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, sipas një zëdhënësi të këtij Departamenti, është “duke punuar me një ritëm të shpejtë për të filluar karantinën e menaxhuar për shtetasit britanikë që kthehen në shtëpi nga vendet më të rrezikshme”.

“Përballë llojeve të reja është e rëndësishme që qeveria të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshme për të mbrojtur njerëzit dhe për të shpëtuar jetë”, tha zëdhënësi.

Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock do të mbikëqyrë politikën e re të karantinës.

Hotelet e karantinës do të zgjidhen midis hoteleve pranë aeroporteve dhe porteve detare në Londër, Birmingham, Bristol, Manchester, Edinburg, Glasgow dhe Aberdeen.

Sipas rregullave të reja në Mbretërinë e Bashkuar, të gjithë që mbërrijnë në vend duhet të izolohen për 10 ditë dhe duhet të plotësojnë një formular të lokalizimit të pasagjerëve, i cili është i disponueshëm në internet.

Personat që hyjnë në Angli po ashtu duhet të tregojnë një rezultat negativ të testit PCR jo më të vjetër se 72 orë.

Gjatë javës së fundit në Mbretërinë e Bashkuar nga COVID-19 humbën jetën mbi 7 mijë persona, përfshirë 915 viktima brenda ditës së fundit.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 110.250.