Qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë të premten përmes një deklarate të përbashkët kërkuan kthim të menjëhershëm të armëpushimit në Gaza, e cila gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të kthente qasjen e ndihmave humanitare, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të kthejë qasjen e ndihmës humanitare, duke përfshirë ujin dhe energjinë elektrike, dhe të sigurojë qasje në kujdesin mjekësor dhe evakuime të përkohshme mjekësore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”, thanë në një deklaratë ministrat e Jashtëm të tre vendeve, të njohur si E3.
Ministrat deklaruan se ishin “të tmerruar nga viktimat civile” dhe u bënë thirrje gjithashtu militantëve palestinezë të Hamasit të lirojnë pengjet izraelite.
Ata thanë se konflikti midis Izraelit dhe palestinezëve nuk mund të zgjidhej me mjete ushtarake dhe se armëpushimu afatgjatë ishte e vetmja rrugë e besueshme drejt paqes.
Ministrat shtuan se ishin “thellësisht të tronditur” nga incidenti që preku ndërtesën e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS) në Gaza dhe kërkuan hetim mbi incidentin.