Britania kalon Italinë, 32 mijë viktima nga Kovid-19

Vdekjet nga koronavirusi në Britaninë e Madhe kanë kaluar shifrën 32 mijë, duke dëshmuar se pandemia e ka goditur vendin edhe më fort se Italia apo Spanja, edhe pse u shfaq më vonë atje.

Marketing

Britania e Madhe po rezulton vendi më i goditur nga koronavirusi në Europë, duke lënë pas Italinë për bilancin më tragjik të pandemisë në kontinent.

Zyra e statistikave njoftoi të martën se janë rishikuar të dhënat zyrtare të javës së fundit për vdekjet në rajonet e Anglisë dhe Uellsit, pasi u analizuan certifikatat e vdekjes që shënojnë si shkak Covid-19.

Si rezultat, rastet e vdekshmërisë për të dyja rajonet u rritën me 34 për qind, duke e çuar mbi 32 mijë numrin e viktimave në nivel kombëtar.

Shifrat e fundit e radhitin Britaninë në vendin e dytë në botë pas SHBA-së për nga jetët e humbura prej pandemisë, duke kaluar Italinë që raporton gati 29 mijë viktima dhe Spanjën me mbi 25 mijë të vdekur që prej përhapjes së koronavirusit nëpër botë.

Ndërkohë afro 200 mijë britanikë janë konfirmuar si bartës apo janë shëruar nga infeksioni vdekjeprurës.

Bilanci i fundit i vdekjeve pritet të rritë presionin politik ndaj kryeministrit Boris Xhonson.

Në fillimin e pandemisë shefi i qeverisë ndoqi një qasje më optimiste sesa vendet e tjera, duke u vënë nën akuzën e opozitës se po vononte marrjen e masave të izolimit edhe në kohën kur dihej situata e vështirë në spitalet italiane.

Qeveria gjithashtu akuzohet për testim të ngadaltë të popullatës dhe për mangësi në pajisjen e stafit spitalor me aparaturat dhe mjetet mbrojtëse.

Britanikët prej shtatë javësh jetojnë nën karantinë.

Kryeministri Xhonson pritet të flasë të dielën për masat për daljen graduale nga ky regjim, nëse përmbushen pesë kushtet që janë, trendi rënës i vdekjeve, i infeksionit, përballimi i situatës nga sistemi shëndetësor, testimi në masë dhe mosrrezikimi i një vale të dytë epidemike.

Marketing