Ka shkuar në 146 numri i viktimave gjatë festimeve të Halloweenit në Korenë e Jugut, ndërsa raportohet edhe për 150 të plagosur, në turmën e njerëzve që u krijua në një rrugicë në lagjen e natës në Itaewon.
Shkaqet e vdekjeve janë ende të paqarta, por një oficer zjarrfikës pohoi se një turmë e madhe ishte mbledhur në një rrugicë të ngushtë pranë hotelit Hamilton, sepse një personazh i famshëm ndodhej. Në një moment diçka ndezi panik dhe qindra njerëz u shtypën në skenat apokaliptike të xhiruara ndërkohë në video amatore që kanë bërë xhiron e mediave sociale në të gjithë botën.
Njerëz që vrapojnë përreth, shtypin të tjerët, britma dhe skena paniku. Zjarrfikësit fillimisht njoftuan se dhjetëra kishin pësuar arrest kardiak. Mbi 140 ambulanca u dërguan në vendngjarje, por për shumë nuk kishte asgjë për të bërë. Drejtuesit e Seulit ndërkohë lëshuan mesazhe urgjente duke u kërkuar njerëzve në zonë të kthehen shpejt në shtëpi.
Ishte një mbrëmje festive e së shtunës, e para pas tre vitesh ndalime dhe kufizime, për të rinjtë në kryeqytetin e Koresë së Jugut. Sipas raporteve të mediave lokale, kishte 100,000 njerëz, shumë të maskuar, në lagjen Itaewon që festonin Halloween.