Brohoritje, tallje dhe të qeshura gjatë fjalimit të Ivanovit në Kuvend

Fjalimi i gjatë i fundvitit nga presidenti Gjorge Ivanov në foltoren e Kuvendit, shkaktoi në sallë reagime, tallje, të qeshura dhe brohoritje.

Marketing

Derisa Ivanov po mbante fjalimin e fundit për fundvit si president i vendit, deputetët nuk kishin durim që ta dëgjonin. Kështu Ivanov disa herë ndërpreu fjalimin duke ju kërkuar atyre që ta lejonin ta mbaronte të njejtën.
“Më lejoni ta mbaroj fjalimin. Ju lutem më lejoni ta mbaroj fjalimin”.

Ivanov, kritikoi ashpër politikat e qeverisë në lidhje me marrëveshjen me Greqinë, si dhe me ndryshimet kushtetuese. Ndër tre pikat më kritike për vitin që lamë pas, ai përmendi Marrëveshjen e Prespës, e cila sipas tij është sjellur pa konsensus nacional dhe pa dijeninë e tij, pastaj renditi referendumin që siç u shpreh ai ishte i pasuksesshëm për shkak se maqedonasit e kuptuan se po nënçmohen dhe treguan se nuk duan që të ndryshohet emri i shtetit të tyre. Ndërsa, rreziku më i madh siç e quajti i ai ishte sjellja e Platformës së Tiranës, e cila sipas tij do t’i bllokojë institucionet.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrën si është shkruar, por dhe votuar, do të rrezikoj bllokim të plotësishë në punën e institucioneve. Pothuajse nuk ka nen në atë ligj që nuk e ka thyer Kushtetutën e RM-së. Ligji është miratuar në Kuvend, pa asnjë procedurë dhe jashtë organeve kompetente. Ka kaluar afati ligjor, është keqpërdorur flamuri maqedonas dhe nuk është konsultuar as Komisioni i Venecias.

Ligjin e kam kthyer pa e nënshkruar edhe atë me një sërë vërejtjesh. Shumica parlamentare i ka injoruar vërejtjet e mia, por edhe qëndrimet e ekspertëve dhe opozitës”, deklaroi Ivanov.

Kjo deklaratë e Ivanov, solli reagime të zëshme në sallë.

“Të nderuar deputetë, vërtetë ju falënderoj që para gjithë opinionit, para gjithë korpusit diplomatik e treguat kulturën tuaj politike”.

Gjorge Ivanov po e mbaron mandatin e dytë në postin e presidentit të shtetit të Maqedonisë. Për herë të parë u bë president në vitin 2009, si kandidat i partisë atëherë në pushtet, tash opozitare VMRO-DPMNE, kurse mandatin e dytë e fitoi në vitin 2014.