Brovina: Kam lejen e familjarëve për publikimin e fotografive

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka tronditur sot gjithë opinionin kur ka shfaqur dy fotografi me pamje shumë të rënda nga koha e luftës.

Marketing

Por, si iu përgjigjet ajo të gjitha kritikave për publikimin e këtyre fotografive?

“Nuk jam në garë kush është më etik, sepse e kam profesionin etik mjekësor që nuk më lejon ta keqpërdori”.

“Gjithashtu kujtoj që nuk jam një humaniste në rang vendi, por jam mbi këtë rang, pra diçka më shumë, prandaj së pari e ruaj nivelin tim të etikës dhe profesionit. Sa i përket humanizmit, nuk bëj garë me askënd – nuk jam në garë”.

“Natyrisht që unë e di deri ku mund të shkoj”.

Ajo ka insistuar se është përkujdesur që publikimi i këtyre fotografive të mos e mundësojë identifikimin e viktimave në të dyja fotografitë.

“Sa i përket fëmijës shtatëvjeçar, unë e kam fshehur mbiemrin e tij dhe vendin ku ka ndodhur. Unë e di ku ka ndodhur, por opinioni nuk e di”.

“20 vjet nuk e kam treguar asnjëherë ndonjë nga rastet. Kam mbi 1000 raste që i kam trajtuar dhe asnjë nuk mund të thotë që e kam publikuar ndonjë rast”.

“Edhe në fotografinë e parë nuk mund ta identifikoni gruan dhe familjarët e saj. Aty mund t’i identifikoni vetëm kriminelët. Kriminelët shihen, por jo gruaja edhe familjarët, sepse i kam mbuluar fytyrat”.

Deputetja e PDK-së ka thënë se nuk është e vërtetë që kanë reaguar familjarët e personave që janë në fotografi.
Madje, ajo ka thënë se fotografitë janë publikuar me lejen e tyre paraprake.

“E lexova një artikull që thotë se familjarët po reagojnë. Familjarët e gruas nuk mund të reagojnë, sepse për të dy rastet i kam njoftuar”.

“Ata i kam kontaktuar dhe në rregull është”.
Brovina ka thënë se beson që gjithë reagimi që erdhi pas publikimit të këtyre dy fotografive nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me të.

“Seriozisht, nuk mund ta kuptoj. Është i dhimbshëm reagimi i tyre, kanë ndonjë interes tjetër dhe nuk lidhet me mua”.
“Nuk e kam lexuar reagimin e presidentes Atifete Jahjaga, por ajo nuk ka asnjë arsye të jetë kundër”.

“Nuk e di kush janë të tjerët që kanë reaguar”.

Ajo ka treguar se menjëherë pas publikimit të këtyre dy dëshmive për përdhunimet në kohën e luftës e ka kontaktuar Vasfije Krasniqi-Goodman, që gjithashtu është viktimë e dhunës seksuale në luftën e Kosovës.

“Vasfija m’u lajmërua e para në telefon dhe më kërkoi bashkëpunim. Më falënderoi për rastin dhe me tha së ‘do të jemi bashkë’. Unë jam çdoherë e hapur për bashkëpunim me çdokënd”.

Aktivistja Flora Brovina ka thënë se nuk është hera e parë që publikohen fotografi të tilla.

“Në Kosovë janë publikuar libra ku ka fotografi të grave të dhunuara. Për çudi, asnjë libër nuk është i ndaluar. Çka ju pengon tani?”.

“Ajo çfarë kam dashur të arrij – efektin publik në opinionin ndërkombëtar, që ta shohin se për çka po flasim – është realizuar”.